29 Prill 2024

Serbët ia bllokojnë rrugën, por nuk e braktis shtëpinë

Mitrovicë, 18 shtator - Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i shoqëruar nga Kushtrim Shyti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, ka vizituar të dielën  familjen e Tahir Kelmendit në fshatin Kelmend të Komunës së Zveçanit, i cili jeton jo larg vendit ku është barrikaduar rruga nga serbët.

Zyrtarët komunalë janë interesuar për problemet e kësaj familjeje, anëtarët e së cilës nuk kanë lëvizur asnjëherë nga shtëpia e tyre edhe pse po u bllokohet rruga . 
 
Drejtori Bala, ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët  e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre nuk janë zhvendosur prej atje.

Ai tha se pushteti lokal në bashkëpunim me atë qendror do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe gjithë qytetarët që jetojnë në veri.
 
Në këtë kontekst, ai, ka falënderuar të gjithë qytetarët e veriut, të cilët ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto ditë, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë.

“Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të del në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”.
 
Ai theksoi se bllokadat e rrugëve, sikur ajo që është ngritur në afërsi të rrugës që lidh fshatrat Kelmend, Boletin dhe Zhazhë, ka krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri. Tha se me probleme të tilla ballafaqohen që rreth dy muaj shqiptarët  që jetojnë  në tri fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit.
 
Ndërsa Tahir Kelmendi, falënderoj zyrtarët komunalë për vizitën. Tha se ai nuk ka kurrfarë nevoje për kurrfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që  e lidh me fshatin Boletin, të cilin e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga  në Rudare.
 
Tregoj se kur nuk ka probleme vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare. “Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telashe të madhe. Tash e kanë bllokuar rrugën dhe s’po mundemi të lëvizim andej”.
 
Tha se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij. “Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë  ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk e kam ndërmend  të lëvizi. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”.
 
Thotë se shtëpinë e ka ndërtuar në vitin 1981, atëherë kur rrethanat kanë poashtu të rënda. Tha se edhe atëherë ka pasur pengesa nga serbët, të cilët kundërshtonin ndërtimin e shtëpisë në atë vend, edhe pse toka ishte pronë e tij.  
 
Kelmendi tregon se në luftë serbët ia kishin vrarë një vëlla, ndërsa një problem tjetër me të cilin është ballafaquar gjatë gjithë jetës është një djalë i tij, të cilin ia kishin verbuar në të dy sytë në kohën kur ishte ushtar në ish-ushtrinë jugosllave.

“Ka qenë një tronditje e madhe për ne dhe për të. Ka shkuar i shëndoshë dhe është kthyer i verbër”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)