03 Maj 2024

Rregullohet oborri i Brigadës së Zjarrfikësve

Mitrovicë, 6 dhjetor - Me mbështetjen e Komunës së Mitrovicës  në tri vitet e fundit janë përmirësuar dukshëm kushtet e punës për Brigadën e Zjarrfikësve në këtë komunë.

Kështu u shprehën drejtuesit e kësaj brigade pasi  u përurua projekti për rregullimin e oborrit të objektit të zjarrfikësve, ku morën pjesë edhe drejtuesit komunalë.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka përgëzuar zjarrfikësit për projektet që po realizohen për krijimin e kushteve më të mira për punë. Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishme punën e tyre andaj edhe u zotua për përkrahje të vazhdueshme.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në kuadër të mundësive që kanë si drejtori do të jenë vazhdimisht përkrah zjarrfikësve.

“Vitin e kaluar kemi blerë një autoshkallë që ka qenë shumë e nevojshme për zjarrfikësit, ndërsa tani kemi realizuar edhe projektin në vlerë prej 15 mijë eurosh për oborrin e tyre, të cilin e ka punuar firma “Eurondërtimi\".

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Tahir Mikullovci, theksoi se përkrahja e komunës në tri vitet e fundit ka qenë shumë e madhe. Në këtë kontekst përmendi projektet e realizuara, si rrethoja e objektit, mandej projektin për rregullimin e oborrit që ka përfunduar tash etj.

Mikullovci tha se në përgjithësi kushtet janë përmirësuar dhe kanë një ambient të mirë për punë. \"Në përgjithësi kushtet i kemi të mira dhe kjo fal ndihmës së komunës dhe donatorëve të ndryshëm, pa harruar asnjëherë ndihmën e vazhdueshme të KFOR-it\".

Si problem ceku automjetet e vjetruara, të cilat ju shkaktojnë shumë probleme. Megjithatë theksoi se tash ka një përmirësim të situatës edhe në këtë drejtim fal ndihmës nga Komuna. “Para dy vitesh Komuna na i ka siguruar dy automjete, ndërsa vitin e kaluar edhe një autoshkallë”.

Tha se këto investime kanë  ndikuar edhe në rritjen e efikasitetit në punë. “Me kushtet e krijuara është shkurtuar koha e reagimit në vendngjarje që është shumë e rëndësishme për zjarrfikësit”.

Mikullovci tha se këtë vit Brigada e Zjarrfikësve në Mitrovicë ka pasur rreth 500 intervenime të ndryshme. Ai përmendi si një punë të mirë edhe fushatën për mbrojtje nga zjarri të organizuar gjatë verës nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)