05 Maj 2024

Rigjykimi i Haradinajt gati në përfundim

Hagë, 5 nëntor - Të pakënaqur me faktin se disa dëshmitarë të prokurorisë kanë arritur vonë në Hagë, avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt bëri thirrje para Trupit Gjykues që të japë një afat strikt për mbylljen e rastit “Haradinaj etj”.

Kryetari i trupit gjykues, Moloto, pasi shprehu mirëkuptim për ankesën e parashtruar nga udhëheqësi i mbrojtjes së Haradinajt, Ben Emerson, është shprehur se ndan shqetësimin e palës mbrojtëse dhe kjo gjë i është bërë e ditur edhe prokurorisë.

Mirëpo, ai ua ka përkujtuar të dy palëve që gjykimi pikërisht për shkakun e dëshmitarëve është duke u ripërsëritur, prandaj Trupi Gjykues nuk do që ai të ripërsëritej për shkak të problemeve që edhe në rigjykimin e pjesshëm janë shfaqur pasi prokuroria nuk ka arritur të jetë efi kase në sigurimin me kohë të dëshmitarëve.

Siç vuri në dukje kryetari i trupit gjykues, Moloto, Trupi Gjykues dëshiron që të shmangë çdo mundësi që i njëjti gjykim të përsëritet. Në anën tjetër avokati mbrojtës Ben Emmerson shprehu shqetësimin e tij për këtë ritëm të gjykimit ndaj klientit të tij, Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë në gjyq për krimet në kampin-burg të UÇK-së në fshatin Jabllanicë në Kosovë në vitin 1998.

Siç ka theksuar Emmerson, shqetësimi i tij ka të bëjë me faktin se disa dëshmitarë të prokurorisë kanë ardhur në Hagë më vonë sesa që ishte planifikuar. Emmerson ka përsëritur që mund të priten manipulime të reja nga ana e prokurorisë lidhur me dëshminë e dëshmitarit 81.

Dëshmitari 81 ka qenë i caktuar që të dëshmojë muajin e kaluar, por dëshmia e tij është shtyrë për 21 nëntor 2011- pa kurrfarë shpjegimi nga ana e prokurorisë”, ka theksuar Emmerson. Për debatin në fjalë në procesin e Haradinajt në Hagë gjerësisht ka raportuar edhe agjencia e lajmeve me seli në Tribunalin e Hagës, Sense.

Avokati mbrojtës ka bërë me dije se Dëshmitari 81 i ka ndryshuar deklaratat ndaj prokurorisë disa herë ‘si pasojë e ndikimit të zyrtarëve nga vendi i tij’. Sipas Emmerson, dëshmitari po ashtu ka kërkuar nga vendi ‘përcjellje me mbrojtje të armatosur’ gjatë udhëtimit të tij për në Hagë.

Për dëshmitarin 81 është bërë e ditur qysh në fillim të procesit në deklaratat hapëse dhe publike nga mbrojtja e Haradinajt që “as ai nuk do të sjellë asnjë dëshmi dhe çka është më keq bëhet fjalë për një dëshmitar më tepër se kontradiktor”.

Atëbotë, në rifillimin e procesit të Haradinajt, Emerson pati kërkuar nga Prokuroria që të “mos ia prishte namin” vetes me aso dëshmitarësh.

Prokurori Paul Rogers u përgjigj se nuk ka pasur qëllime që dëshmia e dëshmitarit 81 të shtyhet me 21 nëntor 2011. Rogers shtoi dhe provoi të arsyetohet se dëshmia e dëshmitarit është vonuar për shkak orareve të avokatëve mbrojtës.

Siç ka bërë të ditur agjencia e lajmeve “Sense” në gjykimin e tre ish-komandantëve të UÇK-së, të premten dëshminë e ka përfunduar Dëshmitari 75, ku pjesa më e madhe e dëshmisë ka kaluar me dyer të mbyllura.

Dëshmia e tij është ndërprerë në gjysmë, sepse dëshmia e tij nuk ishte përputhur me deklaratat në vendin ku kishte marrë azilin dhe dëshmisë për Prokurorinë së cilës i kishte thënë që i ishte vrarë vëllai.

Mbrojtësi i Lahi Brahimajt, Richard Harvey, tha se dëshmitari gjatë dëshmisë ka gënjyer që vëllai i tij është vrarë, edhe pse ishte nën betim. Sipas Harvey, kjo do të thotë se ky dëshmitarë ka gjasa që ka gënjyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë edhe kur thotë që vëllai i tij është rrahur në Jabllanicë.

Procesi kundër Haradinajt pritet të hyjë në fazën e fundit me datën 21 nëntor, kur siç ka bërë të ditur edhe agjencia e lajmeve “Sense” në Tribunal pritet të arrijë edhe dëshmitari 81.

Edhe pse Dhoma Gjykuese ende nuk ka vendosur sa kohë do t’i jepet dëshmitarit 81 për dëshminë e tij, burime nga Tribunali i Hagës kanë theksuar që nga data 21 deri me 25 nëntor si dhe nga data 28 nëntor deri me 2 dhjetor do të duhej të ishin më se të mjaftueshme që të përfundojë procesi i paraqitjes së provave nga prokuroria për dëshmitarin e fundit në procesin e rigjykimit kundër Haradinajt, Brahihmajt dhe Balajt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)