29 Prill 2024

Rexhepit i kërkohet të raportoj në Kuvend për ngjarjet në veri

Prishtinë, 11 mars - Në mbledhjen e Komisionit  për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Ahmet Isufi, u shqyrtua raporti i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi,  për situatën e sigurisë në Kosovë.

Ahmet Isufi, fillimisht tha se raporti i MPB-së është përshkrim i ngjarjeve dhe incidenteve që kanë ndodhur, të nxitura për shkak të bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Kemi sulme ndaj qytetarëve, shkelje të rendit që e cenon integritetin territorial,  ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, raportin e MPB-së e vlerësoi si raport përshkrues, duke i theksuar disa ndërhyrje në këtë raport.

“Bazuar në vlerësimin e këtij raporti, situata e sigurisë në veri konsiderohet si e tensionuar. Ky nuk është vlerësim real, ngase strukturat ilegale dhe grupet kriminale nuk e tensionojnë situatën e Kosovës, por ato bëjnë shkelje të sovranitetit të Kosovës”, tha mes tjerash Selimi.

Anëtarët e komisionit theksuan se komisioni duhet të informohet se cila është gatishmëria e Policisë së Kosovës për menaxhimin e situatave të ndryshme që e cenojnë rendin kushtetues, si dhe kërkuan që të bëhet një raport shtesë lidhur me këtë çështje.

Anëtari i Komisionit, Fatmir Xhelili duke e konsideruar raportin me një përshkrim real të situatës dhe gjendjes në veri, tha se MPB-ja është dashur të insistojë më herët tek EULEX-i për t’i ndërmarrë bashkërisht hapat adekuatë për parandalimin e këtyre veprimeve në veri, duke mos e anashkaluar as indiferencën e KFOR-it në këtë çështje. 

U tha se bazuar në këtë raport ka vazhdim të interesimit të institucioneve të sigurisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë  që gjendja të mbahet nën kontroll.

U theksua se duhet të ketë angazhim shumë më të madh dhe seriozitet të Policisë së Kosovës, MPB-së dhe segmenteve tjera të sigurisë, që të bëjnë hapa më konkret drejt përmirësimit të gjendjes.

Më tej anëtarët e komisionit diskutuan nëse duhet të kërkojnë  informatë shtesë nga MPB-ja për një pasqyrë më të detajuar,  veçmas për angazhimin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, në drejtim të parandalimit të këtyre veprimeve, të cilat u tha se po e dëmtojnë imazhin e Kosovës. 

Ndërsa, disa nga anëtarët e komisionit e theksuan si të nevojshëm  raportimin e ministrit Rexhepi në Mbledhjen e Kuvendit,  për ngjarjet e fundit në veri.

Më tej anëtarët e komisionit u njoftuan rreth vizitës se delegacionit të Komisionit për Siguri, më 4 e 5 mars, në Bruksel. Kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, tha se në këtë vizitë ka pasur një temë të caktuar në Parlamentin Evropian, që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe shpëlarjes së parasë.

U theksua se komisioni ka pasur një paraqitje të mirë dhe se ka kërkuar nga PE-ja që të bëjë një vizitë në Kosovë,  në mënyrë që për së afërmi ta shoh funksionimin e mekanizmave kundër këtyre dukurive në Kosovë.  

              


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)