02 Maj 2024

Qeveria e do policinë me helikopterë e autoblinda

Prishtinë, 20 gusht - Kryeministri Hashim Thaçi nuk ishte ankuar kot se Kuvendi i Kosovës që ka shkuar në pushime në kohën kur një pjesë e veriut të shtetit ishte shpallur zonë e kufizuar ushtarakem shkruan sot “Koha Ditore”.

Gazeta ka mësuar se pas aksionit policor për marrjen nën kontroll të pikave doganore në Jarinjë dhe Bërnjak, shefi i Qeverisë ka pasur në plan që të kërkojë leje nga Kuvendi për të blerë pajisje të sofistikuara për Policinë e Kosovës. Bëhet fjalë për blerjen e dy helikopterëve dhe të dhjetë automjeteve të blinduara.

Zyrtarë të lartë në Qeveri, por edhe zyrtarë brenda Policisë kanë konfirmuar se plani për përforcimin e logjistikës dhe të operativës së Policisë, që tashmë është i miratuar, pritet që ditëve në vijim t’i prezantohet Kuvendit, kur ta fillojë sesionin vjeshtor të punës.

“Në bazë të studimit që është bërë nga Policia dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka dalë se dy helikopterë dhe 10 autoblinda janë të mjaftueshme në këtë kohë. Por meqë vlera e tyre e kalon shumën e përgjithshme të buxhetit të MPB-së, atëherë në bazë të ligjeve në fuqi duhet që vendimin përfundimtar për këto blerje ta japë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë një zyrtar qeveritar, që nuk ka dashur të identifikohej me emër. Vlera e mjeteve që planifikohen të blihen, sipas tij, parashihet të arrijë mbi 20 milionë euro, për sa kohë që i tërë buxheti vjetor i MPB-së për këtë vit është 92.6 milionë. Pjesa më e madhe e buxhetit të MPB-së, që kap shumën prej 75 milionë eurosh, edhe ashtu është e ndarë për Policinë e Kosovës. E nga këto mjete, 12 milionë janë të destinuara për shpenzime kapitale.

Në bazë te Ligjit për menaxhimin e financave publike, asnjë organizatë buxhetore nuk ka të drejtë që t’i ridestinojë mbi 25% të mjeteve pa e marrë pëlqimin e Kuvendit. “Nëse udhëheqësi i organizatës buxhetore kërkon nga ministri që të autorizojë transferimin e një shume të barabartë me 25% apo më shumë, të ndarjes së ndikuar negativisht, ministri mund të autorizojë transferimin e këtillë vetëm pas marrjes së miratimit me shkrim nga Kuvendi”, precizohet në nenin 30, pikën 4 të këtij ligji.

Burimet e gazetës kanë paralajmëruar se blerja e mjeteve logjistike për policinë do të shkojë përmes një tenderi të hapur ndërkombëtar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)