Protesta për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës

Mitrovicë, 28 maj - Iniciativa Qytetare për Veprim organizon sot aksion protestues për heqjen e barrikadave në veri të Mitrovicës, kthimin e shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre si dhe ndaljen e spastrimit etnik dhe kolonizimit që Serbia po e bën atje.
Ky aksion është hapi i parë i Iniciativës Qytetare për Veprim me qëllim organizimin, sensibilizimin dhe angazhimin qytetar për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në veri.
Iniciativa Qytarare për Veprim është organizim qytetar i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për angazhim në zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike dhe sociale. Mendojmë që qytetaria aktive është promotori themelor i ndryshimeve të domosdoshme politike dhe shoqërore që duhet të ndodhin në vendin tonë.
Duke parë agresonin politik që shteti i Serbisë po ndërmerrë në veri të Kosovës, duke kolonizuar në tërësi pjesën veriore të qytetit të Mitroivcës, heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe mosveprimin e qeverisë së Kosovës, besojmë që me angazhim dhe presion qytetar do ta detyrojmë BE-në dhe qeverinë e Kosovës që ti ndalin planet hegjemoniste të Serbisë për shkatërrimin e Republikës së Kosovës.