15 Maj 2024

Prokuroria pranon 14 lëndë për veprat penale për votime

Prishtinë, 30 tetor -  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit - koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, prokurorja Laura Pula, ka njoftuar se prokurorët e shtetit, në kuadër të detyrimeve ligjore që kanë, lidhur me Zgjedhjet Lokale 2013, deri më tani kanë në punë raste, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit nga kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në shtatë prokuroritë themelore në vendin tonë janë pranuar 14 lëndë, të cilat janë paraqitur në komunën e Prizrenit, Kamenicës, Kllokotit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Malishevës, Suharekës, Lipjanit, Graqanicës, dhe Junikut.

Rastet e iniciuara kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit, përfshirë këtu kanosjen, cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve, si dhe dhënien apo marrjen e ryshfetit në lidhje me votimet.

Të gjitha këto lëndë janë në fazën hetimore. Ndaj 2 personave janë shqiptuar masa të arrestit shtëpiak, ndaj një personi është shqiptuar masa e paraburgimit dhe ndaj një personi është shqiptuar masa e ndalimit policor.

Prokurori i Shtetit është informuar nga Policia e Kosovës, se deri më sot, në Policinë e Kosovës janë regjistruar 30 incidente të paraqitura me pretendime se janë kryer në lidhje me zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, prej tyre 14 raste janë dorëzuar në prokuroritë kompetente.

Prokurori i Shtetit inkurajon qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, në Policinë e Kosovës, apo përmes numrit telefonik 192, numër zyrtar i Policisë së Kosovës, çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)