04 Maj 2024

Projektbuxheti 2013 nuk i plotëson nevojat e Policisë së Kosovës

Prishtinë, 24 nëntor - Në muajin mars 2012, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Instituti për Studime të Avancuara GAP, publikuan analizën me titull “Buxheti i Policisë së Kosovës - nevojat për buxhet shtesë dhe planifikim më të mirë financiar”, analizë kjo e cila vështron dhe analizon buxhetin e Policisë së Kosovës që nga planifikimi deri te nevojat që ka ky institucion.

Një nga rekomandimet kryesore të theksuara në këtë analizë, që në fakt kishte dalë kohë më parë si rekomandim prioritar i shumë institucionevë në vend, ishte blerja e pajisjeve të sofistikuara për Policinë e Kosovës; dy helikopterë dhe dhjetë automjete të blinduara.

Forumi për Inciativa Qytetare (FIQ) thekson se në bazë të studimit që është bërë nga Policia dhe nga MPB, ka dalë se dy helikopterë dhe 10 autoblinda janë të mjaftueshme në këtë kohë.

Vlera e mjeteve që përmendeshin të blihen parashihej të jetë afro 20 milionë euro.

Edhe organizatat, GAP dhe FIQ, vlerësojnë se kjo makineri për Policinë e Kosovës është e domosdoshme me qëllim të kryerjes së detyrave që i takojnë sipas ligjeve në fuqi.

Mirëpo, Draft-buxheti i Kosovës për vitin 2013, nuk i përmbush aspak kërkesat e Policisë së Kosovës, qoftë në blerjen e makinerisë së rëndë, por edhe në aspekte tjera.

Në vitin 2013 janë paraparë 10.485.000 euro për investime kapitale në kuadër të buxhetit për PK, apo 5.420.000 euro më pak se në vitin aktual.

GAP dhe FIQ, vlerësojnë se as projeksionet buxhetore për vitet 2014-2015, nuk parashohin fare blerjen e kësaj makinerie, për të cilën u pa nevoja pas intervenimit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Luftimi i krimeve të ndërlikuara, kërkon rritje të buxhetit. Poashtu rritje të buxhetit kërkojnë edhe përmbushja e synimeve të Policisë së Kosovës, që dalin nga Plani Zhvillimor 2011-2015, i nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, e që konsistojnë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe logjistike.

Pavarësisht ekzistimit të këtij Plani Zhvillimor që parasheh përmbushje të synimeve, me buxhetin e miratuar në parim, nga Parlamenti i Republikës së Kosovës për vitin 2013, duket që këto synime nuk janë marrë parasysh as për së afërmi.

Si nga gjetjet e analizës së publikuar nga FIQ dhe GAP, po ashtu edhe gjatë debateve të organizuara nëpër komunat e Kosovës, zyrtarë të lartë policor kanë theksuar nevojën e rritjes së buxhetit për këtë institucion.

"Andaj, gjatë procesit të shqyrtimeve të Projektligjit për Buxhetin dhe ndarjeve buxhetore për 2013, Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, duhet të organizoj dëgjim publik me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të kërkoj sqarime lidhur me atë se përse Projekt-buxheti i 2013 nuk i përmbush objektivat e dala nga Plani Zhvillimor i Policisë së Kosovës 2011-2015 dhe përse në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2013-2015 nuk është paraparë blerja e pajisjeve të nevojshme për PK?!", vlerësojnë GAP dhe FIQ

Në Projektbuxhetin për 2013, nga të gjitha institucionet shtetërore parashihet blerja e veturave zyrtare në vlerën e përgjithshme prej 1.8 milion euro, kurse për PK janë ndarë 1.2 milion euro për blerje të automjeteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)