01 Maj 2024

Policia e Kosovës dhe EULEX me plan të ri për veriun

Prishtinë, 1 shkurt - Policia e Kosovës dhe ajo e misionit evropian kanë paralajmëruar gjatë shkurtit zbatimin e një plani të ri për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit me shumicë serbe.

Zyrtarë policorë nuk dhanë shumë hollësi për planin, por thanë se do të shtohet prania policore për të luftuar kriminalitetin në veri, të në cilin siç thuhet janë të përfshirë pjesëtarë të grupeve të ndryshme etnike.

Sipas tyre, kontrabanda vazhdon të jetë shqetësuese në Kosovën Veriore, megjithëse kohëve të fundit janë shtuar aktivitetet e organeve të rendit për ta luftuar atë.

Autoritetet e rendit thonë se nuk janë të kënaqura me gjendjen në veri dhe duan të shohin më shumë rezultate në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Vetëm në tre muajt e fundit, sipas statistikave të policisë, janë shënuar rreth 200 raste të konfiskimit të mallrave të kontrabanduara në veri të Kosovës që kishin hyrë ilegalisht në vend dhe ishin destinuar për pjesët tjera të territorit.

Kosova Veriore është cilësuar nga zyrtarët në Prishtinë si “oazë e kontrabandës dhe krimit të organizuar” dhe kësaj thuhet t’i ketë kontribuar edhe më shumë shkatërrimi i dy pikave doganore atje pas shpalljes së pavarësisë, të cilat tani janë pjesërisht funksionale.

Pak muaj më parë, KFOR-i, policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it shtuan praninë e tyre në qytetin e ndarë etnikisht të Mitrovicës dhe tri komunat me shumicë serbe, pas një numër incidentesh atje.

Të pakënaqur me gjendjen atje, krerët e policisë thonë se nevojitet një qasje të re për ta ndryshuar gjendjen në terren. Për këtë qëllim, planifikohet që në zonat me popullsi të përzier në veri të Mitrovicës të rritet prania policore.

Deri tani, autoritetet e Prishtinës kanë hartuar një numër planesh dhe strategjish për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, por rezultatet kanë munguar.

Çështjet që kanë të bëjnë me veriun, ku Serbia vazhdon të ketë ndikim të madh, pritet të diskutohen edhe në bisedimet e pritshme Prishtinë-Beograd që do të lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)