29 Prill 2024

Policia e Ferizajt shqipton gjoba kundërvajtëse duke u bazuar në ligj të shfuqizuar

Ferizaj, 20 qershor - Rrjetit i OJQ-ve AVONET, shpreh shqetësimin e thellë se vendimet (gjobat) e datës 16.06.2023 për kundërvajtje të shqiptuara nga zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, kundër protestuesve në lagjen Gëzim Sahiti janë të padrejta dhe të bazuar në një ligj të pavlefshëm (shfuqizuar).

Këto vendime (gjoba), kanë ardhur si rezultat i anulimit të vendimeve (gjobave) paraprake nga Komisioni i Ankesave i Policisë së Kosovës të shqiptuara në ditën e protestës paqësore.

Këto tendenca që me çdo kusht të denohen këta protestues, pa marrë parasysh bazën ligjore janë një faktor shumë shqetësues që duhet të brengos çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, e duhet të alarmoj çdo instutucion ligjzbatues, sipas detyrës zyrtare në vendin tonë.

Vendimet (gjobat) e datës 16.06.2023 janë absolutisht nule (të pavlefshme), kjo për faktin se pas shfuqizimit të Ligjit nr. 03/L-118 Për Tubimet Publike më datë 27.02.2023, çdo pretendim ose vendim i bazuar në këtë ligj nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore.

Këto vendime (gjoba) për kundërvajtje kanë shkelur parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Parimi i ligjshmërisë është shkelur, pasi askush nuk mund të dënohet për shkelje të një ligji që nuk ekziston më. Po ashtu, parimi i barazisë para ligjit është shkelur, duke i trajtuar protestuesit ndryshe dhe duke i penalizuar dhe sanksionuar për shkelje të një ligji të pavlefshëm.

Gjobat e caktuar për kundërvajtje kanë shkelur dispozitat e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, si dhe të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj. Këto instrumente ndërkombëtare garantojnë të drejta themelore, duke përfshirë të drejtën për një proces të ndershëm dhe parimin e "asnjë dënim pa ligj".

Me gjobat për kundërvajtje që janë dhënë, është shkelur gjithashtu Neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili garanton "barazinë para ligjit". Të gjitha këto veprime të papërgjegjshme dhe jo profesionale po cenojnë sigurinë juridike në Republikën e Kosovës dhe po ulin besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sigurisë në vend.

Ne kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjshmërinë në sistemin tonë ligjor. Autoritetet duhet të marrin masa urgjente për të korrigjuar këto shkelje të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin në sistemin ligjor të Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)