Policia arreston pesë persona të dyshuar për trafikim me njerëz

Prishtinë, 15 shtator - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rastin e parë Policia, dje në rajonin e Mitrovicës, ka bërë arrestimin e tre personave, nën dyshimin e bazuar për veprat penale trafikim me njerëz, shërbime seksuale të viktimës së trafikimit dhe keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare.
Operacioni policor është realizuar pas një hetimi disamujor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ku veprimtarinë e trafikimit personat e dyshuar e kryenin në bashkëpunim edhe me të dyshuarën femër shqiptare, e cila ende nuk është arrestuar, por identiteti i saj është i njohur për Policinë.
Të dyshuarit e arrestuar për këtë rast janë: E. M. lindur me 1998, E. M. lindur me 1996 dhe L. S. lindur me 1992.
Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit e arrestuar ndalohen për 48 orë.
Me këtë rast është identifikuar edhe një viktimë e cila është trajtuar në bazë të procedurave standarde të veprimit për viktimat e trafikimit në Kosovë.
Në rastin e dytë Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore pas një pune hetimore, në një lokacion të Prishtinës kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy të dyshuar, një femër dhe një mashkull shqiptar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit ushtronin veprimtarinë ilegale të prostitucionit.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: H. D. lindur me 1961 dhe H. Q. lindur me 1944.
Pas intervistimit të të dyshuarve nga ana e hetuesve policorë të DHTQNJ-së këta të dyshuar me urdhër të gjykatësit kujdestar të divizionit për kundërvajtje janë dërguar në gjykatë me procedurë të shpejtë.