03 Maj 2024

PK në 57 operacione kundër droges ka arrestuar 178 persona

Prishtinë, 26 maj - Grupit Ndërinstitucional për Implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Drogave 2009-2012, mbajti takimin e radhës.

Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili njëkohësisht është edhe Koordinator Nacional i Strategjisë Kundër Drogave.

Po ashtu, të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Dogana e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve si dhe partnerë tjerë ndërkombëtarë nga OSBE-ja, EULEX-i etj.

Në këtë takim u diskutua për progresin e arritur dhe sfidat në implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Drogave 2009-2012.

Me këtë rast, ministri Bajram Rexhepi përgëzoi institucionet përgjegjëse të përfshira në parandalimin dhe luftimin e drogave për punën e bërë në drejtim të implementimit të kësaj Strategjie. “Statistikat e Policisë tregojnë për rritje të efikasitetit në luftimin e trafikimit me narkotikë, sidoqoftë mbetet ende shume për tu bërë në këtë drejtim”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi po ashtu kërkoi të punohet në drejtim të konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë së fituar me anë të trafikimit të drogave. Ai tha se ekziston baza ligjore për konfiskim të pasurisë që është Kodi Penal i Kosovës dhe Kodi i Procedurës Penale dhe  Ligji për administrimin e pasurisë se konfiskuar dhe sekuestruar.

Ministri Rexhepi gjithashtu theksoi se është  themeluar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.

Ndërsa ndihmës Drejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, raportoi se ka progres të dukshëm në zbatimin e Strategjisë dhe se njëkohësisht është rritur bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Prokurorisë së shtetit.
Bahri Berisha, Drejtor i Zbatimit te Ligjit në Doganë të Kosovës, tha se një ndër vështirësitë më të mëdha që vazhdohet të haset në Implementimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Drogave, është pamundësia e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe të Zbatimit të Ligjit dhe Shkëmbimin e Informatave lidhur me trafikimin e Narkotikeve në nivelin ndërkombëtar.

Përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë thanë se kjo Ministri ka punuar në drejtim të parandalimit të trafikimit dhe përdorimit të drogave nëpër institucionet korrektuese.

Ndërsa, udhëheqësi i Qendrës Mediko-Psikoterapike, Labyrinth, Safet Blakaj, tha se rreth 1 mijë e 200 përdorues të drogës e frekuentojnë këtë Qendër.

Në fund të takimit, ministri Rexhepi theksoi se në fund të këtij viti do të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të arritur në implementimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Drogave për të vazhduar pastaj me rishikimin e këtij dokumenti strategjik në përputhje me situatën aktuale dhe rekomandimet që dalin nga raportet e mekanizmave ndërkombëtar.

Po ashtu, ministri Rexhepi kërkoi të bëhen përgatitjet për shënimin e 26 qershorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Drogave.

Fakte:

·    Nga janari i këtij viti e deri më tani, PK-ja ka kryer 57 operacione kundër grupeve të ndryshme kriminale të dyshuar për trafikim,  posedim dhe kultivim të drogave;
·    Nga këto operacione të kryera, janë arrestuar 178 persona, ku 99 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit;
·    Gjatë kësaj periudhe, janë hapur 104 raste;
·    Nga 104 raste të hapura, 39 janë për trafikim të narkotikëve, 55 janë për posedim, dy janë për kultivim të narkotikëve dhe tetë janë raste të tjera;
·    Gjatë periudhës janar-maj është konfiskuar kjo sasi e drogës:

-Heroinë, 18 kg e 499 gram;
-Marihuanë, 87 kg e 218 gram;
-Kokainë, 2 kg e 548 gram;
-Kanabis, 133 bimë etj;


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)