28 Prill 2024

Pjesëtarë të Mbrojtjes Civile edhe në Polici

Prishtinë, 18 korrik - Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë prej së martës në Bruksel janë përpjekur të gjejnë modalitetet e integrimit të strukturave ilegale të sigurisë në institucione të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë të mos jenë shënuar përparime konkrete në këto takime dhe problem në vete ka përmendur Mbrojtjen Civile, që refuzon të dorëzojë armët.

E në MPB kanë konfirmuar se pjesë e policisë do të jenë edhe pjesëtare të këtij formacioni ilegal të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë. Krahas Policisë, për ta do të hapin dyert edhe Forca e Sigurisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës e kanë konfirmuar të dhënën se do të ndodhë rekrutimi në polici i pjesëtarëve të kësaj strukture, së cilës institucionet e Kosovës ia kanë faturuar përgjegjësinë për një numër të madh krimesh që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës, si dhe në tri komunat veriore me shumicë serbe: Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, shkruan “Koha Ditore”.

Në ministri nuk kanë saktësuar numrin e pjesëtarëve të këtij formacioni që do të zënë vend në mekanizma të sigurisë së vendit. Kanë thënë se janë duke u definuar shifrat.

“Ne mund të kemi vlerësime të përafërta, sepse ende nuk e kemi të saktë numrin se sa policë nga Mbrojtja Civile do të integrohen në Policinë e Kosovës, kur të kemi të dhëna të sakta do të kemi edhe përgjigje të detajuar”, është përgjigjja e Zyrës për informim e MPB-së, e dhënë në kontekst të disa pyetjeve të gazetës që i referohen integrimit të strukturave ilegale serbe.

Burime të gazetës kanë thënë se brenda pak kohësh, MPB-ja do të shpallë konkurs për vende të lira në Policinë e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)