06 Maj 2024

Përkeqësimi i motit rëndon gjendjen e shqiptarëve të Leposaviqit

Mitrovicë, 23 dhjetor - Përkeqësimi i motit ka rënduar edhe më gjendjen e banorëve të Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës, tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit, të cilët prej korrikut nuk mund të shfrytëzojnë për qarkullim rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviq. Kërkesë e tyre kryesore mbetet largimi i barrikadave dhe krijimi i mundësive për të lëvizur lirshëm.

Për këto probleme të premten është mbajtur një takim i përbashkët në Bistricë ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës, mandej zyrtarëve të Drejtorisë rajonale të policisë, atyre të stacionit policor të Leposaviqit si dhe banorëve të këtyre fshatrave. Banorët u ankuan për mungesë të furnizimeve si pasojë e bllokimit të rrugëve.

Lulzim Hetemi, nga fshati Bistricë, tha se gjendja e banorëve në përgjithësi është e rëndë, meqë prej korrikut kanë mbetur të izoluar. “Këto tri fshatra janë vendi i vetëm në Evropë ku njerëzit jetojnë të izoluar”.

Ai theksoi se si pasojë e bllokimit të rrugës magjistrale gjatë këtyre muajve kanë shfrytëzuar për qarkullim drejt Mitrovicës një rrugë malore. Tha se gjendja e saj është e keqe dhe në rastet kur përkeqësohet moti bëhet e pakalueshme.

Ai falënderoi zyrtarët e Komunës së Mitrovicës  që kanë ndihmuar tre herë me ushqime dhe kanë intervenuar për rregullimin e asaj rruge malore. Poashtu vlerësoi edhe punën e mirë të policisë, sidomos pas vendimit që një patrullë policore të qëndroj vazhdimit në këto fshatra.

Edhe Haki Imeri, përfaqësues i zyrës së komuniteteve në këto fshatra përmendi hallet e banorëve si pasojë e gjendjes së krijuar. Ai tha se shumë herë mësimi në shkollë nuk mbahet për shkak se arsimtarët që udhëtojnë për në Mitrovicë nuk mund të kalojnë rrugën malore.

Në këtë takim banorët, shtruan shqetësimin për gjuetarët e shumtë që shfrytëzojnë zonën e tyre malore. Ata patën edhe përkrahjen e zyrtarëve komunalë dhe atyre të policisë që të apelohet tek gjuetarët që derisa është situata e këtillë të mos dalin për gjueti në malet e tyre.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se komuna me krejt mundësitë që ka do të mbështes këta banorë. “Ne kemi ndihmuar me ushqime tri herë banorët e këtyre fshatrave, mandej edhe për rregullimin  e rrugës, por nevoja e tyre mbetet e madhe”.

Ai tha se do të bëjnë krejt çka është e mundur që në bashkëpunim me institucionet qendrore të jenë pranë këtyre banorëve.   

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)