28 Prill 2024

Përfundoi hulumtimi, s'ka mbetje mortore në Zhilivodë

Prishtinë, 2 gusht - Ka përfunduar, pas dy viteve punë intensive, hulumtimi i lokacionit në Zhilivodë. Ekspertët e EUELX-it nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) nuk kanë gjetur mbetje mortore të njerëzve në këtë lokacion, hulumtimi i të cilit është bërë me urdhër të gjykatës.

“Hapësira që ishte lëndë e interesimit dhe e cila ishte përcaktuar në urdhrin e gjykatës përfshinte rreth shtatë mijë metra katrorë dhe përbëhej prej dymbëdhjetë minierave të thëngjillit të lidhura me tunele."

"Ato janë gërmuar përgjatë njëzet e katër javëve të punës më 2011 dhe 2012. Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve,” tha Krassimir Nikolov, Ushtrues i detyrës së Bashkëkryesuesit (EULEX), në Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML).    

Duhet theksuar se zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor.

DML i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në Kosovë dhe do ta vazhdojë kërkimin për mbetjet mortore të njëzet e pesë personave për të cilët disa kanë menduar se gjenden në Zhilivodë. 


Nga ana e përfaqësuesve të institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve të EULEX-it, është bërë e ditur se përkundër punës dhe angazhimit të madh në këtë lokacion nuk janë gjetur mbetje mortore e as gjurmë të ndonjë varreze masive.

Me këtë rast, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, theksoi se ‘gjatë tërë kohës së realizimit të këtij projekti ne u ballafaquam me sfida të ndryshme, disa prej të cilave erdhën nga natyra dhe disa të tjera të natyrës teknike dhe faktorit njeri.

"Më duhet të them se operacioni i gërmimit vlerësues të këtij lokacioni është shembull i një procesi transparent i kërkimit të mbetjeve mortore në rajon. Kjo është vizita e katërt e përbashkët në këtë lokacion. Kur kemi parasysh këtë fakt, duket tërësisht i pakuptim, absurd dhe i panevojshëm politizimi i skajshëm i rënies së zjarrit në këtë lokacion para do kohe’.

Prenkë Gjetaj, po ashtu theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të trajtojë çdo informatë të besueshme për vendndodhjen e varrezave të mundshme, të jashtëligjshme, në tërë territorin e Kosovës.

‘Ne jemi të gatshëm të angazhojmë të gjitha resurset në dispozicion me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të fatit të të gjithë personave të zhdukur. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe shpresojmë që kjo gatishmëri e jona dhe kjo përpjekje e jashtëzakonshme në këtë lokacion të reflektojë me reciprocitet nga pala e Beogradit. Ne insistojmë që sa më shpejtë të fillojnë aktivitetet gërmuese  në rajonin e Rashkës’ theksoi ai.

Ndërsa përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Krassimir Nikolov, koordinator për zhvarrime/ekspert nga radhët e  EULEX-it dhe Arsim Gërxhaliu, Drejtor i DML-së/ekspert mjekoligjor dhe, përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Zymer Halimi dhe Nënkolonel Zejnë Prokshi, prezantuan punën profesionale të realizuar  në tri faza, në këtë lokacion, që nga data 31 gusht 2010.

‘Për shkak të karakteristikave të lokacionit është dashur që të hulumtohet e tërë zona, që ishte përcaktuar me urdhëresë gjyqësore. Aty nuk u gjetën mbetje mortore të njerëzve” tha Nikolov, duke shtuar se  ’zjarri i fundit që e përfshiu këtë lokacion në Zhilivodë nuk ka mundur ta shkatërrojë ndonjë dëshmi të mundshme meqë zjarri ishte vetëm sipërfaqësor.’

Ndërsa, Dr. Gërxhaliu, shtojë se ky rast, përkatësisht puna që është kryer në këtë lokacion, është një nga rastet e rralla në botë. ‘Mund ta quajmë si një rast unik në botë, që në një hapësirë kaq të madhe dhe në një thellësi deri në 25 metra, të gërmohet dhe të punohet në kërkim të mbetjeve mortore’, theksoi Gërxhaliu.

Kurse përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, prezantuan në hollësi punën dhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht pjestarëve të Batalionit të Xhenios, në tri fazat e ‘projektit humanitar- gërmimi në Zhilivodë’, në respektim dhe mbështetje të kërkesës dhe vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)