28 Prill 2024

OSBE fillon fazën e dytë të fushatës “Mbani nën Kontroll”

Prishtinë, 17 shtator – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka filluar fazën e dytë të fushatës për vetëdijesimin e publikut “Mbani nën Kontroll”, e cila është e fokusuar në hartimin e buxhetit komunal dhe planifikimin urban, duke pasur parasysh procesin aktual vendimmarrës në nivelin lokal.

Nëpërmjet spoteve radio-televizive që do të emetohen për tri javë rresht nga transmetuesit nacional dhe rajonal në mbarë Kosovën, fushata ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së publikut në këtë proces të rëndësishëm vendimmarrës komunal të përvitshëm.

Aktivitetet monitoruese të Misionit të OSBE-së nëpër komuna kanë vërejtur se, përkundër obligimit ligjor për të siguruar pjesëmarrjen e publikut në bërjen e politikave, dëgjimet publike nëpër komuna nuk ndiqen gjithmonë në masë të duhur. Për këtë arsye, si komunat ashtu edhe qytetarët duhet ta rrisin komunikimin e ndërsjellë.

“Buxheti dhe planifikimi urban janë ndër funksionet më të rëndësishme të komunave pasi që në mënyrë të drejtpërdrejtë prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe cilësinë e saj. Për këtë arsye, është qenësore që komunat t’i përfshijnë qytetarët në procesin e vendimmarrjes në këto dy çështje,” ka thënë Wilma Theuws, Drejtoreshë e Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Në një fazë të mëvonshme do të bëhet  një vlerësim rreth përpjekjeve të komunave për të rritur nivelin e llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut, përderisa një panel i përbërë nga përfaqësues të Misionit të OSBE-së, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës do të përzgjedhë pesë komunat që më së shumti kanë zbatuar parimet e qeverisjes së mirë.

Komunat që tregohen më të suksesshme do ta kenë rastin që t’ia paraqesin publikut vlerësimet e tyre për praktikat më të mira të qeverisjes së mirë përmes një varg emisionesh televizive vitin e ardhshëm. Këto komuna do të ftohen të shkëmbejnë përvoja nëpërmjet një raporti të veçantë në televizion. Po ashtu OSBE do të mbështet nga një projekt që promovon transparencën për pesë komunat më të mira që do të përzgjidhen nga qytetarët.

I tërë projekti që ka filluar në prill të këtij viti, do të zbatohet deri në vitin 2011. Faza e parë ka qenë e fokusuar në rolin e asambleve komunale dhe këshilltarëve të tyre.

Misioni i OSBE-së vazhdimisht mbështet pjesëmarrjen publike në procesin e vendim-marrjes në nivelin komunal, transparencën dhe reformën në qeverisjen lokale në vijë me Kartën për Vetëqeverisje Lokale të BE-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)