28 Mars 2024

Organizatat terroriste serbe kanë penguar zgjedhjet në Veri

Mitrovicë, 13 dhjetor - Përfaqësuesit e strukturave politike si dhe ata të sigurisë kanë vlerësuar të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës, se situata e sigurisë gjatë ditës së zgjedhjeve në veri është karakterizuar me incidente.

U potencua se qëllimi i këtyre incidenteve, të cilat janë marrë përsipër nga organizata serbe që veten e quajnë terroriste, ka qenë pengimi i qytetarëve  serbë që të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.        

Riza Haziri, nënkryetar i komunës së Mitrovicës, tha se për dallim prej incidenteve dhe problemeve në veri të Kosovës, në jug të qytetit të Mitrovicës zgjedhjet kanë kaluar mirë dhe nuk ka pasur probleme. “Dalja e qytetarëve në zgjedhje ka qenë e kënaqshme dhe nuk është shënuar asnjë incident”.

Në këtë takim nënkryetari Haziri ka përsëritur thirrjen për autoritetet e sigurisë që të bëhet krejt çka është e mundshme për zbardhjen e rastit të vrasjes që ka ndodhur para disa ditësh në afërsi të Leposaviqit, ku janë vrarë dy pjesëtarë të komunitetit boshnjakë, të cilët ishin duke përgatitur mbajtjen e zgjedhjeve në fshatrat e banuara me boshnjakë atje.

Ai tha se kjo vrasje është bërë me qëllim të frikësimit të qytetarëve në veri që të marrin pjesë në zgjedhje.    

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka përmendur disa nga incidentet që kanë ndodhur në veri, si sulmi ndaj zyrës së KFOR-it në Zubin Potok, ku është gjetur edhe një letër kërcënuese në emër të një organizate serbe e ashtuquajtur “Beli orlovi” (Shqiponjat e bardha), mandej sulmi me mjete piroteknike ndaj ekipeve mobile për zgjedhje në Zveçan etj.

Ai theksoi se këto sulme e kanë frikësuar popullatën në veri duke krijuar një situatë të tendosur atje. 

Sa i përket ecurisë së zgjedhjeve në jug të Mitrovicës, komandanti i stacionit të policisë, Avni Zabeli, tha se nuk është shënuar asnjë incident i vetëm.

Ai tha se ditën e zgjedhjeve në jug kanë qenë të angazhuar 230 policë. “Fushata dhe dita e zgjedhjeve ka kaluar pa asnjë incident. Gjatë fushatës janë mbajtur 11 tubime të mëdha ku kanë marrë pjesë rreth 12 mijë qytetarë, por që ka kaluar pa asnjë problem”.

Poashtu ai bëri të ditur se edhe  pas mbylljes së votimit nuk ka pasur probleme. Njoftoi se policia ka siguruar transportin e fletëvotimeve për në qendrën kryesore të KKZ në Mitrovicë, e më vonë për në Prishtinë.   

Përfaqësuesit e KFOR-it kanë përgëzuar organizimin e mirë të zgjedhjeve dhe kanë lavdëruar policinë për punën e mirë që kanë bërë gjatë këtyre ditëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)