29 Prill 2024

Nis verifikimi i veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së

Prishtinë, 11 nëntor - Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Azem Syla - “Daja” - do ta udhëheqë komisionin shtetëror për verifikimin e listave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Udhëheqësi i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), Faik Fazliu, ka thënë për “Epokën e re” se “Daja” në krye të këtij komisioni është zgjedhur nga anëtarët e po këtij komisioni. Ai ka bërë me dije se ky komision tani është plotësuar dhe se shumë shpejt do ta fillojë punën në terren. “Qëllimi i këtij komisioni shtetëror është t’i verifikojë dhe t’i përfundojë listat e veteranëve, invalidëve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë luftës së UÇK-së”, ka thënë Fazliu.


Sipas tij, tani ky komision do ta hartojë rregulloren e punës, pastaj do t’i përcaktojë kriteret e klasifikimit të këtyre kategorive (dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve). “Tani pritet që komisioni ta caktojë edhe rregulloren e vet të punës dhe t’i formojë edhe komisionet zonale për të filluar punën në terren. Varësisht prej punës në terren do të varen edhe rezultatet e këtij komisioni. Por unë besoj se rezultatet përfundimtare do të dalin brenda një periudhe të shpejtë”, është shprehur ai.


Lidhur me kriteret dhe metodologjinë mbi bazën e të cilave do t’u njihet statusi këtyre kategorive, Fazliu ka thënë se këto janë çështje që ky komision do të vendosë së shpejti. “Invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve tani veç janë duke i marrë pensionet në bazë të ligjit ekzistues, ndërsa për kriteret që do të caktohen për njohjen e statusit të kategorive të dala nga lufta do të vendosë ky komisioni dhe mbi ato kritere edhe do të punojë”, ka deklaruar ai.


Kurse sa iu përket shpenzimeve që do t’i bëjë ky komision, ai ka thënë se për një gjë të tillë do të kujdeset Qeveria e Kosovës. “Qeveri e Kosovës pritet ta mbështesë financiarisht këtë komision. Dhe ashtu siç është marrëveshje e Qeverisë me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, shumë shpejt do të dihet numri i saktë i dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës”, ka theksuar ai.

Fazliu ka treguar se pjesëmarrës në këtë komision janë ish-përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nga të gjitha zonat e UÇK-së, ish-përfaqësuesi i Shtabit të TMK-së, përfaqësuesi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së, të Zyrës së Kryeministrit si dhe përfaqësuesit e tri Shoqatave të Dala nga Lufta: Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)