05 Maj 2024

Nënshkruhet Marrëveshja për Ripranim me Slloveninë

Prishtinë, 10 maj -Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti sot ministren e Punëve të Brendshme të  Sllovenisë, Katarina Kresal.

Pas takimit ndërmjet dy homologëve, u nënshkrua Marrëveshja për Ripranim në mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Sllovenisë. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së MPB-së për Agjendën Evropiane dhe Liberalizimin e vizave.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Sllovenisë për përkarhjen e dhënë shtetit të Kosovës për kontributin e madh në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe tani  në Procesin Liberalizimit të Vizave.

“Në emër  të Qeverisë së Kosovës dua t’i falënderoj për kontributin e madh të Sllovenisë në tërë proceset që kemi kaluar si shtet, sidomos në iniciativat për liberalizimin e vizave që burojnë nga Sllovenia, pasi që kemi një përkrahje parimore nga ky shtet, sidomos pasi që u bë anëtare e Unionit Evropian”, tha ministri Rexhepi.

Në këtë takim, ministri Rexhepi falënderoi shtetin slloven edhe në ndihmën e dhënë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit me Policinë Sllovene si pjesë e EULEX-it dhe në kontigjentin Slloven në KFOR.

“Ne jemi shumë të kënaqur edhe me punën e pjestarëve sllovenë në KFOR ku numërojnë mbi 300 trupa. Po ashtu jemi të kënqur me përfaqësuesit e Policisë së Sllovenisë në kuadër të EULEX-it”, theksoi ministri Rexhepi
Falënderim i veçantë u bë për ndihmën në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit.

Ndërsa ministrja Kresal, tha se takimi me ministrin Rexhepi është si rezultat i një bashkëpunimi të mirë në mes të dy shteteve dhe në veçanti në mes të dy policive. Ajo theksoi se:  “Një nga arsyet e këtij takimi është nënshkrimi i Marrëveshjes për Riatdhesim, që është një bazë e mirë për Procesin e Liberalizimit të Vizave”.

Ministrja Kresal tha se Sllovenia ka qenë shteti që ka filluar këtë procedurë për liberalizimin e vizave për të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë dhe se ende janë forca që e udhëheqë këtë proces më tutje.

“E di që është një dëshirë e madhe këtu në Kosovë për liberalizimin e vizave dhe është komplet e kuptueshme. Ne do të luajmë rolin tonë pozitiv edhe më tutje. Hapi më i vështirë është të merret Udhërrëfyesi për të ardhur në procedurat e negocimit dhe shpresoj që nuk do të zgjasë shumë gjatë”, tha ministrja Kresal.

Gjatë kësaj vizitë u bisedua edhe për sigurinë në rajon dhe u tha se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për siguri në mes të dy shteteve dhe në trajnimin e policive.


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)