28 Prill 2024

MPB shënon Javën Globale Kundër Dhunës me Armë

Prishtinë, 17 qershor - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u shënua sot Javën Globale Kundër Dhunës me Armë.

Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zëvendës ministrat e MPB-së, Sasha Rashiq dhe Izmi Zeka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Reshat Maliqi dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Java Globale Kundër Dhunës me Armë ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit publik për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të armëve të zjarrit, sidomos në rastet festive.

Për parandalimin e të shtënave me armë nëpër ahengje dhe dasma nga Departamenti i Përgjithshëm i Policisë është lëshuar Urdhri Operativ ,,Sezoni Veror”, po ashtu Departamenti i Rendit Publik në bazë të këtij urdhri, ka hartuar planet operative për ta luftuar këtë dukuri.
Në këtë rast, ministri Bajram Rexhepi tha se për MPB-në, trajtimi i dhunës me armë është një nga prioritetet e saja, prandaj është duke vazhduar zbatimi i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta si dhe Planit të Veprimit. Ministri Rexhepi tha se gjithashtu është zhvilluar një kornizë e integruar legjislative e cila merret me këtë çështje dhe  mbikëqyret nga Departamenti i Sigurisë Publike i MPB-së.
“Java Globale kundër dhunës me armë organizohet çdo vit në gjithë botën dhe trajton një fenomen që më së miri përshkruhet me frazën e mëposhtme: Armët e vogla janë armë të shkatërrimit në masë, sepse çdo vit afërsisht gjysmë milioni njerëz vriten nga armët e vogla”, tha ministri Rexhepi.
Ministri Rexhepi shtoi se përvojat më të mira në rrafshin global tregojnë se dhuna me armë nuk mund të trajtohet vetëm nga institucionet e qeverisë qendrore, por ka nevojë për mbështetje nga shoqëria civile dhe qytetarët.

“Do të doja të kërkoja nga shoqëria civile si dhe qytetaret e Republikës së Kosovës që të raportojnë incidente me armë si dhe të avokojnë për sjellje më të sigurt”, shtoi ai.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Reshat Maliqi tha se shënimi i Javës Globale kundër dhunës me arme nga MPB-ja do të mbështetet fuqishëm nga Policia e Kosovës, e cila për të arritur këtë qellim ka hartuar plane konkrete të cilat kanë të bëjnë me parandalimin dhe përdorimin e armëmbajtjeve pa leje.

“Në kuadër të Planit zhvillimor 2011-2015, njëra ndër objektivat strategjike ka të bëjë me ngritjen e nivelit të sigurisë publike, e që në këtë rast ndërlidhet me parandalimin dhe luftën kundër dhunës me armë”, tha drejtori Maliqi.

Ilir Kukaj nga Agjencioni Nacional i Forenzikës theksoi se plumbat bredhës përpos dëmeve materiale mund të shkaktojnë edhe vdekjen. “Para se të shkrepni me armë në ajër gjithmonë ta keni parasysh se ju mund t’ ia merrni jetën dikujt. Mbani mend se është shpejtësia e plumbave ajo që vret, e jo nxehtësia”, tha Kukaj.

Në këtë rast, u prezantua në detaje rreziku i një plumbi bredhës , si dhe një skenë e simuluar e krimit në të cilën janë paraqitur faktet reale rreth një rasti tipik të dhunës me armë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)