24 Prill 2024

Mitrovica veriore e qetë, rrugët ende të bllokuara

Mitrovicë, 9 gusht - Gjendja e sigurisë në veri është e qetë, por jo e qëndrueshme. Kështu u tha të martën në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se aktet e dhunës nga ana e strukturave paralele serbe në veri pas operacionit të policisë për vendosjen e kontrollit doganor në pikat kufitare në veri kanë demaskuar fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit që dirigjon me këto grupe. Tha se strukturat e sigurisë dhe autoritetet përgjegjëse duhet të vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë vrarë, djegur dhe shkatërruar në këtë pjesë të Kosovës.

Nënkryetari Haziri theksoi se operacioni i policisë për kthimin e kontrollit doganor në veri është mirëpritur nga qytetarët që e duan rendin dhe ligjin. “Rendi dhe ligji në veri të Kosovës është parakusht për normalizimin e jetës”. 

Në anën tjetër, ai tha se ende rrugët magjistrale në veri mbeten të bllokuara. Ai shfaqi shpresën  se me angazhimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të tejkalohet edhe ky problem në mënyrë që atje të nis shtensionimi i situatës.

Ai ka falënderuar strukturat e sigurisë për menaxhimin e mirë të situatës gjatë këtyre ditëve. Poashtu ka shprehur respekt të veçantë për të gjithë qytetarët që i kanë kontribuuar rendit dhe qetësisë.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se rrugët e bllokuara kanë krijuar vështirësi për banorët shqiptarë që jetojnë në fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit. “Për shkak të pamundësisë për të qarkulluar nëpër rrugën magjistrale ne jemi detyruar që dy herë brenda një jave t’u ndihmojmë me ushqime dhe mjete higjienike”.

Në anën tjetër, Avni Zaiti nga Policia rajonale e Kosovës në veri, pasi konfirmoj se rrugët magjistare ende mbeten të bllokuara foli për masat e ndërmarrura për verifikimin e dëmeve që janë shkaktuar nga aktet e dhunës në veri. Tha se ekipet hetimore janë duke punuar për vlerësimin e dëmeve pas djegies së pikës doganore si dhe dëmtimin e automjeteve zyrtare. 

Ai njoftoi se karshi situatës ka ndryshuar edhe organizimi i pikave të përbashkëta nga doganat dhe policia. Tha se ekipet e përbashkëta të doganierëve dhe policisë  janë zhvendosur nga Koshtova dhe Kelmendi.

Lidhur me këtë nënkryetari i komunës, Riza Haziri, ka shtuar se është një hap shumë i mirë që është ndërmarrë nga këto institucione meqë doganierët duhet të kthehen në pikat kufitare. Tha se kjo ndihmon për ndalimin e kontrabandës në veri.    

Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se në jug nuk ka ndonjë problem, përderisa gjatë kësaj kohe fokusi ka qenë në shtimin e masave të sigurisë në lagjet me popullatë të përzier në veri. “Jemi duke e përcjellur  situatën  së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in”.   


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)