16 Prill 2024

Më 21 korrik jepet vendimi për rastin Haradinaj

Hagë, 16 korrik - Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë do të japë më 21 korrik vendimin lidhur me apelin e çështjes Haradinaj, Balaj e Brahimaj.

"Vendimi i Apelit në çështjen gjyqësore të Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt, tre ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të shqiptohet të mërkurën, më 21 korrik 2010, në orën 9:30, në Sallën Gjyqësore I", thuhet në njoftimin e Gjykates së Hages.

Kjo çështje sipas njoftimit ka të bëjë me krime të kryera gjatë periudhës 1 mars – 30 shtator 1998 në zonën e Dukagjinit në Kosovën perëndimore. Gjatë periudhës në fjalë Haradinaj ishte komandant i UÇK-së për zonën e Dukagjinit, Idriz Balaj ishte komandant i njësisë së UÇK-së “Shqiponjat e Zeza” dhe Brahimaj ishte anëtar i UÇK-së me bazë në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë, në komunën e Gjakovës.

Në prill 2008, Dhoma Gjyqësore i shpalli Haradinajn dhe Balajn të pafajshëm për të tëra akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe torturim të dy individëve në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë.

Brahimaj u shpall fajtor për pjesëmarrje në trajtimin mizor dhe torturimin e Dëshmitarit 6, i cili prej mesit të qershorit 1998 u mbajt në shtabin e Jabllanicës. Gjithashtu ai u shpall fajtor për rolin që luajti në trajtimin mizor dhe torturimin e Dëshmitarit 3 gjatë marrjes së tij në pyetje, i cili u mbajt në shtabin e Jabllanicës në korrik 2008. Pas marrjes në pyetje Brahimaj u tha dy grave të veshura me uniforma të zeza që të ushtroheshin  mbi viktimën dhe individët në fjalë filluan rrahjen e Dëshmitarit 3. Të dy viktimat u ndaluan, u keqtrajtuan dhe u diskriminuan sepse mendohej se bashkëpunonin ose kishin lidhje me serbët.
 
Prokuroria dorëzoi apelimin kundër Aktgjykimit të Dhomës Gjyqësore më 17 korrik 2008. Mbrojtja e Brahimajt e dorëzoi apelimin më 19 korrik 2008. Haradinaj dhe Balaj u liruan pas shpalljes së vendimit. Brahimaj u lirua përkohësisht me kusht deri në seancën e apelit të tij më 25 maj 2009. Më 2 korrik 2010 ai u urdhërua të kthehej në Njësinë e Paraburgimit për të qenë i pranishëm në shpalljen e Vendimit të Apelit.

Aktakuza fillestare kundër Haradinajt dhe dy të bashkakuzuarve u lëshua më 4 mars 2005. Të tre të Akuzuarit u dorëzuan më 9 mars 2005. Procesi gjyqësor filloi më 5 mars 2007 dhe Prokuroria e përfundoi paraqitjen e çështjes në nëntor 2007. Të tre ekipet mbrojtëse vendosën të mos paraqisnin dëshmi. Argumentet përmbyllëse u dëgjuan më 21-23 janar 2008.

Tribunali ka ngritur aktakuza kundër gjithsej 11 individëve, serbë dhe shqiptarë kosovarë për krime të kryera në Kosovë. Prej gjithë këtyre çështjeve ende vazhdon procesi gjyqësor kundër Vllastimir Gjorgjeviqit ish-zyrtar i policisë serbe i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër civilëve shqiptarë kosovarë në vitin 1999.

Që prej themelimit, Tribunali ka akuzuar formalisht 161 individë për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë periudhës 1991-2001. Kanë përfunduar proceset kundër 125 individëve. Janë ende duke u zhvilluar procese për 36 të akuzuar ku 18 prej tyre janë në fazën e gjykimit dhe 16 në apel.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)