30 Prill 2024

Më 14 qershor EULEX-i ndryshon mandatin

Prishtinë, 11 qershor -  Shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchard, ka thënë se ky mision ndryshon mandatin në Kosovë prej 14 qershorit.

Ai ka thënë se në këtë drejtim me qeverinë e Kosovës kanë pasur një shkëmbim letrash i cili ka përfunduar në mes të prillit mes presidentes Jahjaga dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchard, ka bërë të ditur se EULEX-i do t’i çojë deri në fund rastet që ka filluar.

“Elementet më të rëndësishme në këto letra janë që mandati ynë ekzekutiv do të ndryshojë. Ne do t’i çojmë deri në fund rastet që kemi filluar. Por vetë nuk do të hapim asnjë rast të ri. Natyrisht që është e mundur që kosovarët të na kërkojnë që të marrim përsipër ndonjë rast.\"

\"Ne këtë mund ta kërkojmë prej kosovarëve, që me dëshirë do të trajtonim ndonjë rast. Por dallimi kualitativ është që vendimet merren nga përfaqësuesit e Kosovës. Ndryshimi i dytë i rëndësishëm është që të gjitha institucionet e rëndësishme do të drejtohen prej kosovarëve.\"

\"Prokuroria e Posaçme për Krimet e Rënda (SPAK) është drejtuar deri tani nga një bashkëpunëtor i EULEX-it, ndërsa në të ardhmen do të drejtohet nga një koleg kosovar. Instituti për Mjekësinë Forenzike është bashkëdrejtuar nga një bashkëpunëtor i EULEX-it, i cili në të ardhmen do të jetë zëvendësdrejtues. Ne duam që kosovarët të marrin më shumë përgjegjësi. Ndryshimi i tretë i rëndësishëm është që gjykatësit e EULEX-it kanë përbërë shumicën në trupat gjykues.\"

\"Ka pasur raste kur edhe në të kaluarën kemi qenë në pakicë, por në të ardhmen do të jetë rregull që ne jemi në pakicë. Shumicën mund ta kërkojmë vetëm nëse kemi argumentet e duhura”, ka thënë Borchard në një intervistë për DW.

Borchard ka folur edhe për procesin e zgjedhjeve të 8 qershorit, ai ka thënë se EULEX-i në ditën e zgjedhjeve është marrë me çështjen e sigurisë së bashku me Policinë e Kosovës. “Mund të them se jam shumë i kënaqur sepse të gjitha kanë kaluar shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë problem serioz, ndërsa imtësitë që janë paraqitur, janë zgjidhur shumë shpejt”, është shprehur Borchard.