Mbrojtja kërkon lirimin e Limajt dhe të tjerëve

Prishtinë, 27 mars - Mbrojtja në procesin gjyqësor në rastin Kleçka ka dorëzuar sot në gjykatë fjalën e saj përfundimtare për këtë proces. Avokati Tahir Rrecaj i tha Radio Kosovës se i kanë kërkuar trupit gjykues të lirojë nga akuza Fatmir Limajn dhe të pandehurit të tjerë me arsyetimin se nuk ka asnjë fakt që i ngarkon ata. Të premten pritet aktgjykimi për këtë proces.
Mbrojtja në procesin gjyqësor Kleçka, ashtu edhe siç u ishte kërkuar nga gjykata sot kanë dorëzuar fjalën përfundimtare me shkrim për këtë proces. Avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, tha se kanë kërkuar lirimin e të gjithë atyre që akuzohen në rastin Kelçka, sepse nuk ekziston asnjë dëshmi që me të cilin vërtetohet fajësia e tyre.
Madje, ai tha se prokuroria nuk ka bërë analiza të provave edhe në fjalën e saj përfundimtare që e ka deponuar paraprakisht në gjykatë.
Mbrojtja pret që të premten në orën 14, trupi gjykues të marrë vendim në favor të Fatmir Limajt dhe të tjerëve të përfshirë në procesin gjyqësor për rastin Kleçka.