Mbështetja e BE-së për KGJK-në dhe KPK-në ka treguar rezultate

Prishtinë, 12 prill - Përfaqësuesit e autoriteteve gjyqësore të Kosovës dhe të Zyrës së BE-së/PSBE-së do të përfundojnë sot projektin \"Mbështetje për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës\" i cili zgjati katër vjet e gjysmë.
Ndërtimi i kapacitetit institucional të këshilleve të sapo-themeluara atëherë, në vitin 2011, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, ishte qëllimi kryesor i projektit të financuar nga BE, të cilit tash i ka ardhur fundi.
Bashkë me anëtarët e të dy këshilleve dhe me palët e tjera të interesit, ekspertët e këtij projekti kanë punuar në organizimin, funksionimin dhe strukturën e këtyre këshilleve në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Kryesuesit e këshilleve, Nehat Idrizi dhe Blerim Isufaj, si dhe Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi do të përcjellin këtë ngjarje dhe do të shprehin pikëpamjet e tyre, bashkë me përfaqësuesit e Zyrës së BE-së/PSBE-së.
Anëtarët e këshilleve, përfaqësuesit e Zyrës së Këshillit Disiplinor, Ministrisë së Drejtësisë dhe palë të interesit vendore dhe ndërkombëtare do të jenë të pranishme në konferencën përmbyllëse.