30 Prill 2024

Mbahet takimi përmbyllës i Projektit të Binjakëzimit

Prishtinë, 11 qershor  - Në Akademinë  e  Kosovës  për  Siguri  Publike u mbajt takimi përmbyllës i  Projektit  të Binjakëzimit  i  cili  ka  filluar  në mars të vitit  2012. Qëllimi i projektit është përmirësimi i arsimit në sektorin e rendit dhe sigurisë publike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha projekti kishte në fokus profesionalizmin e arsimit të lartë për gjithë pjesëtarët e sigurisë publike në vend.
“Krijimi i programeve të studimit  bachelor i  cili do të bazohet në standardet dhe përvojat më të mira evropiane, natyrisht që do të kontribuojnë në  ngritjen e nivelit të profesionalizmit në të gjitha institucionet e përfshira në sundimin e ligjit”, tha Zeka.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi vlerësoi se projekti në fjalë ka ndihmuar në ngritjen e profesionalizmit si dhe ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të Sigurisë Publike.

Ai shtoi se projekti do të ketë rëndësi domethënëse për Akademinë dhe Republikën  e Kosovës. 

“Projekti do të përmirësojë kapacitetet e institucioneve të zbatimit të ligjit përmes shërbimeve të trajnimit dhe arsimimit që i plotësojnë standardet evropiane në fushën e rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Smakiqi.

Ndërkaq  zëvendës kryesuesi  i seksionit të  bashkëpunimit nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Melvin Asin, duke e vlerësuar  procesin e përmbylljes se projektit të binjakëzimit si mjaft të suksesshëm, tha se rendi dhe siguria publike duhet të shihet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Kurse Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Finlandë, Andrei Nahkala,  tha se Kosova ka zgjedhur mënyrën evropiane për ta përmirësuar arsimin e lartë në fushën e sigurisë në vend.

Udhëheqësi i projektit të binjakëzimit, Anti  Haikio, theksoi se ky projekt  është  mjaft me rëndësi për të gjitha agjencionet e sigurisë.
Të pranishëm  në ketë takim ishin edhe përfaqësuesit e  OSBE-së, të EULEX-it, ICITAP, si dhe zyrtarë të kyçur  drejtpërsëdrejti në Projektin Binjakëzimit.