15 Maj 2024

KQZ i mban policisë programin orientues për zgjedhjet

Prishtinë, 23 shtator - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti “Programin Orientues për Policinë e Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2013”.

Ky program u organizua për udhëheqësit e Drejtorive Rajonale të Policisë së Kosovës dhe Komandantëve të Stacioneve Policore në nivel lokal lidhur me menaxhimin e situatave gjatë Zgjedhjeve Lokale 2013.

Në hapje të këtij programi morën pjesë kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, z. Enis Halimi, Zëvendësdrejtori i Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE, z. Bujar Basha.  

Kryetarja e KQZ-së, znj. Daka tha se roli i Policisë së Kosovës, i paraparë edhe me Planin Operativ të Sigurisë, është i një rëndësie të veçantë, duke filluar nga Fushata e Zgjedhjeve; Dita e Zgjedhjeve; dhe Faza pas Zgjedhore.

Ajo me këtë rast përmendi edhe nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Këshillin Prokurorial të Kosovës; Këshillin Gjyqësor të Kosovës; Policinë e Kosovës; dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

”Pa dyshim se në këtë angazhim të përbashkët, rol të veçantë ka edhe Policia e Kosovës. Përmes këtyre angazhimeve të përbashkëta ne po punojmë për të arritur një objektiv të përbashkët, e që është: zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike”, tha kryetarja Daka.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Shpend Maxhuni, tha se ”Marrëveshja e mirëkuptimit e arritur ditë më parë ndihmon në koordinimin dhe bashkërendimin e të gjitha aktiviteteve brenda tërë procesit dhe Policia e Kosovës tashmë ka përgatitur urdhërin operativ i cili parasheh një mori veprimesh dhe aktivitetesh konkrete në të gjitha fazat e këtij procesi”.

Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, tha se ”Sekretariati, si trup profesional, është i gatshëm të zbatojë pjesën e vet të përgjegjësisë konform ligjeve dhe vendimeve të KQZ-së, në funksion të një qëllimi, i cili është: një proces zgjedhor korrekt”.  

Zëvendësdrejtori i Departamentit të Zgjedhjeve në OSBE, Bujar Basha, shprehu  para të pranishmëve mirënjohjen e OSBE-së për bashkëpunimin shumë të mirë dhe profesional me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe gjithashtu me Policinë e Kosovës.

”OSBE do të lehtësojë zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës, sipas ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe standardet ndërkombëtare”, tha Basha.  

Programi Orientues për Policinë e Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2013 është paraparë në ”Planin Operativ të Sigurisë për Zgjedhjet Lokale 2013” të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 30 korrik të këtij viti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)