30 Prill 2024

Kosova morri pjesë në Konferencën Karta e Adriatikut-SHBA

Prishtinë, 12 qershor - Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati së bashku me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Timoty Orr, morën pjesë në punimet e Konferencës së 18-të Karta e Adriatikut A5 në Budvë-Mal të Zi, e cila përfundoi punimet sot, me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut-SHBA.


Gjeneral Kastrati gjatë punimeve të Konferencës pati takime të shumta bilaterale me përfaqësuesit e EUCOM-it, Vice Admiralin Charles W. Martoglio, KunderAdmiralin Patric Piercey, si dhe me pjesëmarrësit tjerë në Konferencë. Ndërsa, Vice Admirali Martoglio ka vlerësuar lartë punën e deritanishme të FSK-së, si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e FSK-së, edhe në të ardhmen.


Tema bosht e Konferencës ishte “Mirëmbajtja e Interoperabilitetit Përmes Partneritetit Regjional" por u diskutuan edhe çështjet rreth rritjes se interoperabilitetit, përgatitja dhe mirëmbajtja e forcave për reagim në rast të krizave dhe emergjencave, mbrojtja e përbashkët ajrore, intensifikimi i trajnimeve dhe shkollimeve të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura nëpër vendet e rajonit, nënshkrimi i marrëveshjeve teknike për mbështetje më të shpejtë të vendeve në rast emergjencash, organizimi i ushtrimeve të përbashkëta ku do të involvohen edhe partneret nga Garda Kombëtare e SHBA-s, etj.


Në këtë konferencë, morën pjesë shefat e Mbrojtjes të pesë vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut-SHBA: Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, përfaqësues nga Komanda Amerikane për Evropë (EUCOM), zëvendës shefi i Mbrojtjes së Sllovenisë dhe komandantët e Gardave Kombëtare partnere me vendet e rajonit, si: përfaqësuesi i Komandës Kryesore të Gardës Kombëtare të SHBA-s, Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajoves, Nju Xhersit, Kolorados, Minesotes, Vermontit si dhe Komandanti i KFOR-it.


Në fund, ministrja e Mbrojtjes së Malit të Zi, znj. Milica Pejanovic-Djurishiq organizoj një pritje të veçantë për të pranishmit, ku prezantoi edhe presidenti i Malit të Zi, z. Filip Vujanoviq.
Në fund të Konferencës u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët e vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut dhe SHBA-s.