Kosova i ka plotësuar kushtet për të udhëtuar pa viza

Prishtinë, 14 mars - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, priti ministrin e Brendshëm të Landit të Mecklenburg - Vorpommern të Republikës Federale të Gjermanisë, Lorenz Caffier.
Pas takimit në një konferencë për media ministri Hyseni tha se pati nderin dhe që të pres në takim Ministrin e Brendshëm të Landit të Gjermanisë, me të cilin patën një takim shumë miqësor dhe shumë përmbajtjesor rreth gjendjes së përgjithshme në Kosovë, për bashkëpunimin bilateral Kosove-Gjermani, dhe po ashtu u trajtua në mënyrë përmbajtësore problemi i migrimit me të cilin po përballet Evropa perëndimore.
Falënderova ministrin për përkrahjen e gjithanshme që i është dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit, si dhe përkrahjen e madhe në mënyrë specifike që i është dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për rend dhe ligj, profesionalizimin e Policisë së Kosovës dhe për zemërgjerësinë që Gjermania ka pranuar një numër të refugjatëve dhe azil kërkuesve nga Kosova, tha ministri Hyseni.
Në këtë konferencë ministri Hyseni vuri në dukje se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave.
Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të udhëtuar pa viza dhe unë e them me keqardhje që kosovarët që janë populli më pro evropian kanë të drejt të udhëtojnë pa viza vetëm në lindje, Stamboll. Kjo gjë është paradoksale dhe nuk do duhej të ndodhte më gjatë, sepse një popullsi me numër të vogël që ka Republika e Kosovës do të duhej ta gëzonte këtë të drejt, tha ministri Hyseni.
Ndërsa ministri i Brendshëm iLandit të Mecklenburg - Vorpommern të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Lorenz Caffier, tha se në takim me kontingjentin e KFOR-it dhe ministrin Hyseni diskutuan rreth çështjes aktuale sidomos për situatën e refugjatëve që kishin ardhur nga Kosova vitin e kaluar, ku kishin gjetur një përkrahje shumë të madhe nga pala kosovare për riatdhesimin e tyre.
Një çështje tjetër e rëndësishme për ministrin e MPB-së është siguria e brendshme ku natyrisht që nevojitet anëtarësimi në INTERPOL dhe EUROPOLgjë të cilën ne do e mirëprisnim, kjo natyrisht se krijon mekanizma edhe ndërshtetërorë për luftimin e krimit te organizuar. Ne në Evropë duhet të bashkëpunojmë dhe duhet ti luftojmë këto fenomene si njësi, për shkak se kriminaliteti nuk njeh kufi dhe na nevojiten mekanizma ndërshtetërorë, tha ministri Caffier.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave ministri Caffier, tha se ata po i përcjellin të gjitha proceset për Republikën e Kosovës dhe që ky vendim nuk varet vetëm nga Gjermania përderisa ata janë pro përkrahjes së Kosovës për liberalizmin e vizave dhe anëtarësimin sa më të shpejt në Interpol dhe Europol.