30 Prill 2024

KFOR: Kryetaret mbahen përgjegjës në rast të ndonjë tensioni

Novobërdë, 13 dhjetor - Sot, zëvendës Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Brigade Bojan Pograjc u takua me kryetarin e Novobërdës dhe shefin e Policisë së Kosovës për komunën e Novobërdës.

Zëvendës Komandanti i KFOR-it vizitoi komunën e Novobërdës në kuadër të vizitave të tij të rregullta informuese nëpër komunat e Kosovës.

Përveç takimit me kryetarin dhe shefin e PK-së, Zëvendës Komandanti i KFOR-it vizitoi gjithashtu shkollën fillore dhe Qendrën Mjekësore në Paralovë, Kuzhinën Popullore në Prekovc, si dhe kështjellën e Novobërdës dhe Kishën në Bostane.

KFOR-i nuk është i interesuar vetëm në monitorimin e situatës në pjesën veriore, por gjithashtu në zhvillimin e përgjithshëm të situatës në pjesët jugore të Kosovës.

Në mes tjerash, Zëvendës Komandanti i KFOR-it adresoi gjithashtu në takim me kryetarin dhe shefin e PK-së në Novobërdë interesimin e tij të veçantë në kushtet jetësore dhe sigurinë e minoriteteve në komunën e Novobërdës.

Të gjitha etnitetet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Zëvendës Komandanti i KFOR-it theksoi se kryetarët përgjegjës dhe përfaqësuesit e komunitetit, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake do të mbahen përgjegjës në rast të ndonjë tensioni apo incidenti që mund të ndodhë në këtë kontekst.

Zëvendës Komandanti i KFOR-it në fund nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet për të kontribuuar për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes në mënyrë të vendosur, të matur dhe të paanshme në tërë Kosovën.