30 Prill 2024

KFOR-i shtyn për të martën largimin e barrikadave

Prishtinë, 17 tetor - Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drevs, ka shtyrë kohën e konvojeve të KFOR-it për furnizimin e trupave të KFOR-it në pikat kufitare deri të martën, duke u dhënë më shumë kohë qytetarëve të veriut të Kosovës në largimin e barrikadave rrugore.

“Përfaqësuesit e komunave të Leposaviqit, Mitrovicës veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë kërkuar më shumë kohë dhe komandanti i KFOR-it ka vendosur t’u ofrojë një ditë shtesë. Komandanti i KFOR-it vlerëson vullnetin e tyre për t’i hapur rrugët për furnizimin e trupave të KFOR-it në Jarinje dhe Bernjak dhe kampin “Nothing Hill”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Për më tepër, misioni i KFOR-it shpreh përkushtimin për të vazhduar me kujdes dhe në mënyrë të paanshme që të ruajë një ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për njerëzit e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Më herët, KFOR-i kishte paralajmëruar se largimi i barrikadave do të bëhej ditën e hënë.