30 Prill 2024

KFOR do të ofrojë ambientit të sigurt në tërë territorin e Kosovës

Prishtinë, 16 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti sot në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin gjerman Ualker Halbauer.

Me këtë rast ministri Rexhepi e uroi gjeneralin Halbauer për detyrën dhe e njoftoi për gjendjen e sigurisë në tërë territorin e Kosovës, në veçanti për pjesën veriore të vendit, që mbetet sfidë për institucionet e Kosovës që edhe në atë pjesë të sundojë rendi dhe ligji.

Ministri Rexhepi theksoi rolin e rëndësishëm që ka KFOR-i në Kosovë, për të ofruar stabilitet dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe se misioni i KFOR-it është ndër misionet më të respektuara nga qytetarët e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Ualker Halbauer, e përgëzoi ministrin Rexhepi për rezultatet e arritura, sidomos ato të Policisë së Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe shprehu gatishmërinë e KFOR-it për të dhënë kontribut të vazhdueshëm në përmbushjen e mandatit për të ofruar një ambientit të sigurt në tërë territorin e Republikës së Kosovës.