Jahjaga: FSK krenaria e Republikës së Kosovës

Nikoqiri, gjenerallejtënant Rrahman Rama në takimin me Presidenten Jahjaga e ku ishin të pranishëm edhe ministri Haki Demolli dhe gjeneralët Zymer Halimi dhe Gëzim Hazrolli, fillimisht e ka falënderuar Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin, koordinimin dhe angazhimin e Presidentes për FSK-në, gjatë mandatit të saj si Komandante supreme.
Me këtë rast, gjeneral Rama e ka njoftuar Presidenten në përgjithësi mbi zhvillimin, profesionalizimin, bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtarë, operacionet dhe aktivitetet, trajnimet dhe shkollimet si dhe mbi procesin e përgatitjeve që FSK-ja është duke i zhvilluar në mënyrë që vendimi i institucioneve më të larta të vendit për transformim të FSK-së në Forca të Armatosura, apo ndryshimi i misionit të saj ta gjej institucionin të përgatitur për një transformim profesional.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e ka përgëzuar gjeneral Ramën si dhe ministrin Demolli për komandimin dhe menaxhimin me sukses të FSK-së dhe Ministrisë. E para e vendit tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni i cili ka arritur që edhe në nivel të rajonit dhe më gjerë të prezantoj shumë suksesshëm si Kosovën ashtu dhe Forcën e saj.
Komandantja e përgjithshme, gjatë takimit në ministri, tha se Republika e Kosovës është duke ndërtuar një Forcë gjithëpërfshirëse duke përsëritur se synimin ynë është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.
Në fund Presidentja e vendit, zonja Jahjaga falënderoi gjeneral Ramën, dhe nëpërmjet tij të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin ndaj vendit duke thënë se FSK-ja është krenaria e Kosovës, institucioni më i besueshëm në vend për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pas takimit, Presidentja Jahjaga në një koktej rasti takoi dhe bisedoj personalisht me shumë prej kadetëve, ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së.