18 Maj 2024

Implikimet nga Mjetet Piroteknike në Kosovë

Prishtinë, 5 dhjetor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një dokument të shkurtër të politikave të titulluar: "Cilat janë Implikimet nga Mjetet Piroteknike në Kosovë".

Qëllimi i këtij dokumenti është që të ofrojë një vlerësim në lidhje me rrezikun nga përdorimi i pakontrolluar i mjeteve piroteknike në Kosovë duke sugjeruar marrjen e masave të nevojshme. QKSS ka njoftuar se argumenti bazohet nga këndvështrimi i sektorit të sigurisë, si rrjedhojë e implikimeve reale në rendin dhe sigurinë publike si dhe atë ambientale.

“Pavarësisht se ekziston baza ligjore, institucionet shtetërore nuk kanë krijuar kushtet bazë për parandalimin e incidenteve të mundshme. Në këtë drejtim nuk janë paraparë dhe ndërmarrë kampanja vetëdijësuese për mënyrën e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe efektet anësore - për shëndetin e njeriut, pasurinë, ambientin - botën bimore (ajrin dhe ujin) si dhe atë shtazore; masat për kualifikimin e personave që bëjnë tregtimin me këto mjete; nuk janë ndaluar shitjet pa leje; nuk mbrohen konsumatorët”, thuhet në komunikatën e QKSS-së.

Studimi ka vërtetuar se nuk ekziston një mënyrë e informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për modalitetet e përdorimit të këtyre mjeteve të rrezikshme. Për më shumë, nuk ekzistojnë kapacitetet bazë për parandalimin e incidenteve, e aq më pak për trajtimin e këtyre rasteve.

QKSS rekomandon masa radikale sa i përket çështjes së mjeteve piroteknike në Kosovë. QKSS është e vetëdijshme se rekomandimet si më poshtë do të mund të kenë implikime në biznesin dhe përfitimet e kompanive të caktuara megjithatë ne konsiderojmë se siguria fizike, ambientale dhe ekonomike duhet të mbizotërojnë në raport me përfitimet materiale.

QKSS rekomandon se në mungesë të mekanizmave adekuate dhe funksionale të ushtrimit të kontrollit institucional në lidhje me mënyrën e shitjes, periudhën kohore të shitjes, periudhën kohore të përdorimit dhe mënyrës së përdorimit të tyre, Qeveria e Kosovës duhet të ndalojë tërësisht shitjen, distribuimin dhe përdorimin e mjeteve piroteknike në Kosovë.

Kjo masë duhet të mbuloj një periudhë kohore 2 vjeçare. Deri në kthimin e këtyre mjeteve në treg, institucionet përkatëse do të ishin ne gjendje te i krijonin mekanizmat përkatës mbikëqyrës. Po ashtu, deri atëherë do të ndërpritej edhe tradita e abuzimit me këto mjete nga ana e qytetarëve dhe si rrjedhojë implikimet do të ishin më të vogla.

Në përputhje me vendimin për ndalimin e përkohshëm të këtyre mjeteve, Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë ndonjë akt ligjor që sanksionon shitësit e këtyre mjeteve në treg të zi përderisa kontrabanduesit e mundshëm të tyre të ndjeken në bazë të Kodit Penal të Kosovës.

Qeveria e Kosovës do të marr përsipër që gjatë periudhës ndaluese do ta krijojë gjithë bazën e nevojshme juridike dhe institucionale për të rregulluar dhe kontrolluar këtë fushë në bazë të standardeve të lejueshme bashkëkohore ndërkombëtare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)