Hasan Shala emërohet kryetari i ri i Gjykatës së Apelit

Prishtinë, 13 janar - Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit, Nehat Idrizi.
Gjatë këtij takimi është votuar për kryetar të Gjykatës së Apelit dhe për kryetar të Gjykatës së Gjilanit.
Gjyqtari Hasan Shala, arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovë, kundrejt kundër - kandidates Tonka Berishaj. Gjyqtari nga Peja, do ta udhëheq këtë gjykatë për katër vjetet e ardhshme.
Hasan Shala  është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm  Divizioni Civil. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik  të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Provimin e Jurisprudencës e kreu dy vjet më vonë, pasi mbaroi praktiken profesionale në Gjykatën e Qarkut në Pejë. 
 Në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë. Një vit më vonë,  u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë.  Pasi ushtroi 5 vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit. 
Po në këtë mbledhje, u votua edhe për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit, por asnjëri nga të katër kandidatët nuk i mori shumicën e votave të  anëtarëve të Këshillit. Andaj, Këshilli mori vendim të përsëritet konkursi për këtë Gjykatë. Deri në zgjedhjen e kryetarit U.D. i kryetarit u emërua  zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit z.Afrim Shala.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës  shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet. 















