19 Maj 2024

Gjykatë Evropiane për UÇK – në!

Prishtinë, 13 shkurt - Qeveria e Kosovës, në procesin e marrjes së kompetencave me këmbëngulje po kërkon që në qershor të vitit 2014 të mbyllet apo t’i merren përgjegjësitë ekzekutive në fushën e gjyqësorit Misionit për Sundim të Ligjit të BE-së, EULEX duke vlerësuar se gjyqësori kosovar tashmë ka kapacitete të merret me gjykimin e rasteve të ndjeshme dhe të rënda siç janë ato të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, krimit të organizuar etj.

Pati interpretime se ky veprim i Qeverisë ishte në fakt përpjekje për mosdënimin e të dyshuarve për krime të rënda kundër të drejtës humanitare dhe të tjera si dhe lirim nga përgjegjësia e të dyshuarve që janë të burgosur apo të dënuar për këto vepra. 


“Argumenti ishte se ndikimi i politikës është aq i madh në gjyqësor prandaj edhe kërkohet largimi i EULEX-it. Kështu mendonte opozita dhe shoqëria civile. sidomos ndërkombëtarët. Si kompromis ishte zgjidhja që EULEX të përqëndrohet më shumë në veri të Kosovës (komunat paralele që pas zgjedhjeve do të bëhen Bashkësi e komunave serbe) për funksionalizimin e punës së gjykatave në veri dhe stabilizim të situatës meqë serbët e veriut nuk i pranojnë autoritetet kosovare”, thuhet në reagimin e KMDLNj – së.

Në ndërkohë po përfolej se është në themelim e sipër Gjykata Evropiane për krime lufte në Kosovë e që në fakt mund të përkthehet si Gjykata Evropiane për Gjykimin e Krimeve të UÇK –së në periudhë 1998 – 2000. Për ta bërë situatën edhe më të ngatërruar thuhet se kjo gjykatë po themelohet me kërkesën e Qeverisë së Kosovës e cila deri më tani nuk është deklaruar fare. Dhe se roli i ri i EULEX-it në veri të Kosovës si dhe themelimi eventual i kësaj Gjykate është rezultat i bisedimeve në Bruksel.

Ndërkombëtarët gjithmonë mbulohen se këtu kanë ardhur me kërkesën e institucioneve të Kosovës ( Qeverisë dhe Presidencës)! Ndërkaq që Qeveria dhe Presidenca pastaj deklarojnë se nuk kanë kompetenca duke bërë përpjekje që t’i rikthejnë ato kompetenca që ua kanë deleguar misioneve ndëkombëtare në ftesat që ua dërgojnë!!!!!!!!!!


Kjo për KMDLNj –në nuk ka arsye as as logjike e as juridike përveç se ka arsye praktike dhe qëllim politik. Nëse formohet dhe funksionalizohet eventualisht kjo gjykatë atëherë ka për qëllim dënimin e UÇK –së dhe bartësve të kësaj lufte.

Në praktikat ndërkombëtare janë të njohura dy gjykata që mund të krahasohen dhe që janë themeluar për të njejtat qëllime dhe motive; a) Gjykata e Nyrenbergutqë ka pasur për qëllim dënimit të krimeve të nazistëve në Gjermani; dhe b) Gjykata në Kamboxhia kundër krimeve që i kanë kryer kmerët e kuq. E tash kjo në Kosovë.


Gjykatat Evropiane do të merret me krimet e UÇK – së. Në radhë të parë kjo Gjykatë do të ketë mandat që t’i gjykojë rastet edhe pas përfundimit të luftës. Krimeve të supozuara kundër njerëzimit që mund të kryhen edhe në kushte paqeje Mandatin e shtrinë deri në vitin 2000.

“Krimet që janë bërë pas përfundimit të luftës nuk mund të llogariten si krime lufte, aq më parë që këtu kanë qenë forcat ndërkombëtare (Policia e UNMIK- ut, KFOR, etj.) që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe jetën qytetarëve të Kosovës. Së dyti, kjo gjykatë e supozuar ka kompetenca t’i marrë lëndët për krime lufte , krime kundër njerëzimit apo krime të tjera që llogariten si të ndjeshme nga gjykatat vendore nëse vlerëson se vendimi i gjykatës paraprake nuk ka qenë i drejtë”, thuhet në reagimin e KMDLNj – së. 


Në këtë mënyrë dhunohet parimi i njohur në drejtësi se “ një i dyshuar nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën vepër “. Kjo gjykatë, nëse formohet, në fakt e injoron edhe punën e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Madje edhe të Tribunalit të Hagës.

KMDLNj pyet pse atëherë kjo gjykatë nuk e shtrinë autoritetin dhe kompetencat edhe në territorin e Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë?! Pse nuk paska të drejtë që t’i marrë lëndët e tilla edhe nga gjykatat në Serbi, Bosnje dhe Maqedonie kurse në Kosovë po ?!

Kjo gjykatë ( nëse vërtetë themelohet dhe bëhet funksionale) do t’i ngulfasë përfundimisht gjykatat vendore duke mos lejuar ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve për gjykim të këtyre krimeve të rënda dhe shkeljes së të drejtës humanitare. Përveç mosbesimit absolut dhe injorimit të këtyre gjykatave vendore po dërgohet një mesazh se edhe në fushën e së drejtës dhe gjyqësorit Kosova është rast “ sui generis”. 


Ka mundur të gjindet një zgjidhje shumë më elegante dhe më e pranueshme që i trajton të gjitha palët e përfshira në luftë në mënyrë jo-diskriminuese duke ia zgjatur edhe për një kohë mandatin Tribunalit të Hagës , përkatësisht duke e formuar një njësi të veçantë brenda Tribunalit që do të merrej me rastet e gjykimit të dyshuarve për krime lufte, krime kundër njerëzimit jo vetëm në Kosovë por edhe në shtetet e tjera, në radhë të parë Serbisë, Bosnjes dhe Maqedonisë.  


Kështu do të kursehen mjete të konsiderueshme materiale që janë të domosdoshme për themelimin e gjykatave të reja. Për KMDLNj – në është jashtëzakonisht e rëndësishme të zbardhen krimet e kaluara duke i sjellë para drejtësisë dhe dënuar të gjithë ata që u dëshmohet fajësia për krime lufte, krime kundër njerëzimit pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, politike, statusit shoqëror, posteve që i mbajnë etj.

Me një fjalë, askush nuk do të duhej të amnistohej nga përgjegjësia nëse ka fakte se kanë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Ndjekja dhe dënimi i këtyre personave në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si e përfunduar dhe ad acta. 

Por, për KMDLNj- në është krejtësisht e papranueshme që në Serbi dhe Bosnje të ketë gjykatë speciale për krime lufte me prokurorë dhe gjykatës vendorë ndërsa për Kosovën të formohet Gjykata Evropiane me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Vet trekëndëshi si, gjykimi i krimeve të nacizmit, krimit të kmerëve të kuq dhe krimeve të UÇK- së është shumë i dëmshëm për ardhmërinë e Kosovës, qytetarëve të saj, përmbushjes së drejtësisë, shpagimit të viktimave dhe parandalimit të krimeve të ngjashme në të ardhmen ! Hetimet për raportin e Dik Martit nuk janë arsyetim për formimin e Gjykatës Evropiane për Kosovën ( nëse vërtetë themelohet ) dhe vet dyshimi për trafikim të organeve është çmenduri nëse i kemi parasysh rrethanat dhe mundësitë për ta bërë një veprim të tillë në atë kohë dhe në atë vend ( Burrel, Shqipëri) ku nuk ka pasur as kushte elementare për këtë.

Është çmenduri e radhës çdo përpjekje, qoftë edhe vetëm si përpjekje që këtë rast të cilësuar si “ trafikim i organeve” nga “ kirurgët “ e UÇK-së të ndërlidhet me rastin Medicus!

Vet bërja publike e emrave që po hetohen sipas Dik Martit ka qenë prejudikim i fajësisë dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut! Pa përfunduar ende hetimet persona që janë bartës më të lartë të posteve politike, duke filluar me kryeministrin aktual të Kosovës janë linçuar publikisht nga mediet vendore dhe ndërkombëtare si dhe politikanë vendorë dhe ndërkombëtarë që për qëllim kanë pasur kriminalizimin e luftës së UÇK-së ndonëse në drejtësi nuk pranohet përgjegjësia kolektive por ajo është krejtësisht individuale. Nuk mbeti kush nga udhëhesit e luftës që në një mënyrë apo tjetër nuk është përfshirë në hetime apo nuk është gjykuar për krime lufte.

“Gjykimet për krime lufte në Kosovë deri më tani mund të llogaritet si proces i dështuar dhe se këto gjykime kanë qenë thuaja vetëm gjykime ndaj shqiptarëve. Kanë qenë gjykime njëetnike ! Tash , së fundi po bëhen përpjekje që të barazpeshohen gjykimet dhe të bëhen multietnike!”, thuhet në reagimin e KMDLNj – së.


Hetimet që po zhvillohen ndaj të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit më shumë kanë për qëllim eliminimin politik apo spastrim nga skena politike se vendosjen e drejtësisë. Drejtësia po dhunohet skajshmërisht nga qëllimi politik që po realizohet përmes projekteve të caktuara politike!

Nuk është dashur të pritet të kalojnë 15 vjet nga përfundimi i luftës e të arrestohen individë të dyshuar për këto krime kur këto fakte kanë qenë të ditura edhe në vitin 1999. Janë vetëm disa raste kur bëjnë përjashtim që po hetohen pasi janë siguruar dëshmitarët bashkëpunues apo ata që janë penduar. Dëshmitarët e mbrojtur janë dekonspiruar nga vet “mbrojtësit “ e tyre dhe kanë përfunduar tragjikisht.


“Sot në Kosovë, nëpër media dhe portale publikohen emra dhe lista e atyre që do të arrestohen për krime lufte, për krime me motive politike apo etnike dhe krime të tjera të rënda! Madje përcaktohen edhe afate kohore. Sikur nëpër bastore sportive! Është krejt e pamoralshme, joprofesionale , e palejueshme dhe e dënueshme linçimi publik që u bëhet personave të caktuar, pa filluar fare hetimet dhe pa përfunduar ato hetime! Po krijohet një përshtypje se të gjithë janë kriminelë dhe të gjithë mund dhe duhet të arrestohen! Të gjithë thirren në “ burime të sigurta ndërkombëtare” dhe ambasada të huaja!”, thuhet në reagimin e KMDLNj – së.


Këto informata për arrestime rrjedhin nga burime dhe qarqe që për qëllim e kanë mbajtjen nën tension të situatës dhe personave të caktuar me ndikim në Kosovë. Para marrjes së vendimeve të ndryshme politike dhe për qëllim të përfitimeve të mëdha ekonomike përmes tenderëve qindra milionë euro! Mbase në këtë kontekst edhe përmendet edhe themelimi i Gjykatës Evropiane për Kosovën.

Në të kundërtën do të komprometoheshin rëndë dhe pariparueshëm të gjitha përpjekjet për stabilizimin e situatës në Kosovë dhe rajon.

“Pastaj, më në fund duhet të mësohemi dhe të besojmë në drejtësi ! Kjo që ka ndodhë deri sot nuk mund të quhet drejtësi, sidomos jo drejtësi transicionale. Ka qenë drejtësi selektive dhe përjashtuese . E motivuar dhe menaxhuar nga politika. Pak vendore e më shumë ndërkombëtare. Në përputhje me fuqinë reale vendimmarrëse që e kanë!”, thuhet në reagimin e KMDLNj – së.

  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)