19 Maj 2024

FSK duhet të quhet Ushtria e Kosovës

Prishtinë, 12 shkurt - Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së dhe ekspertë të çështjes së sigurisë kanë kërkuar që emri i ardhshëm i kësaj force të jetë Ushtria e Kosovës.
 
Ahmet Isufi, Rexhep Selimi dhe Ramadan Qehaja kanë vlerësuar se shndërrimi i këtij institucioni në ushtri do t’u jepte kuptim të plotë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ndërsa ministri Agim Çeku ka thënë se ky emërtim ende mbetet opsioni i parë për pagëzimin e kësaj force.

“Normalisht se ai është opsioni i parë, por unë më shumë jam marr me substancën dhe besoj se substanca është e mirë. Për emër do të shikojmë dhe do ta vendosë kryeministri. Ne jemi duke debatuar. Ka qenë një debat i cili, fatkeqësisht, ka dalë edhe në media, por nuk ka dalë ashtu siç ka qenë. Pra, ky është një proces, i cili është duke u harmonizuar brenda Qeverisë dhe me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, e kjo do të na marrë pak kohë”, ka thënë Çeku për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se ky proces do të përmbyllet pas 6-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, substanca e kësaj force do t’i përmbushë pritjet e opinionit.

“Ka shumë opsione dhe në fund do të vendoset njëri prej tyre, por nuk është personalisht punë e imja emri. Unë e kam propozuar substancën e forcës, ndërsa emri është çështje e fundit, e cila do të vendoset. Substanca do t’i plotësojë pritjet e opinionit, jo emri. Substanca qind për do t’i plotësojë pritjet e opinionit publik”, ka thënë Çeku.

Ai ka deklaruar se ky institucion është një nga tregimet më të suksesshme të Kosovës së pavarur, duke shtuar se në këtë proces do të ndryshojë edhe emri i ministrisë që drejton. “Në Kuvend do të shkojë kërkesa për ndryshime të Kushtetutës. Po në Kuvend do të shkojë Ligji për Mbrojtje dhe do të shkojë Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka deklaruar Çeku.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar për “Epokën e re” se për të marrë kuptim të plotë pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, FSK-ja duhet të bëhet ushtri.

“Duke pasur parasysh se Kosova do të kompletohet me të gjitha institucionet si një shtet funksional, atëherë emri i kësaj force do të duhet të ishte Ushtria e Kosovës, në mënyrë që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës ta marrin kuptimin e vet. Kjo ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ndihmon në misionet ndërkombëtar nëpërmjet integrimit në NATO”, ka thënë Isufi.

Ai ka deklaruar se për misionin e ardhshëm të kësaj force do të ketë rëndësi edhe emri. “Ka rëndësi shumë struktura, emri dhe misioni që ka ky institucion. Gjithashtu, kanë rëndësi edhe përgatitjet profesionale dhe trajnimet që janë kryer, sidomos vlerësimet që janë bërë shumë pozitive, duke u ngritur si një forcë kredibile në nivel të Kosovës. Pra, emri ushtri është emri i vërtetë i kësaj strukture”, ka deklaruar Isufi.

Edhe zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Rexhep Selimi, ka deklaruar se deri më tash është harxhuar kohë kot duke menduar se cili do të jetë emri i ardhshëm i FSK-së. Sipas tij, vetë diskutimi dhe harxhimi i kohës për këtë çështje e konteston të ardhmen e këtij institucioni.

“Nëse Kosova është shtet, FSK-ja duhet të bëhet ushtri, nëse FSK-në nuk e bëjnë ushtri, atëherë të njëjtit e kontestojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se emërtimi i FSK-së me këtë emër është shtyrë vetëm për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës.

“E ardhmja e kësaj force duhet të jetë vetëm një, që është Ushtri e Kosovës. Do të duhej të ishte e tashmja e tillë, por për shkak të mosangazhimit të duhur dhe mosgatishmërisë politike të Qeverisë së Kosovës nuk ka ndodhur kjo. Sidoqoftë, nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë nuk do të duhej Qeveria e Kosovës të harxhonte kohë duke diskutuar se çfarë emri do të duhej ta kishte forca e ardhshme që do ta pasonte FSK-në, përveçse Ushtria e Kosovës”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka mohuar se shndërrimin e FSK-së në ushtri po e pengojnë ndërkombëtaret. Sipas tij, një gjë e tillë i pengon vetëm Serbisë dhe aleatëve të saj që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Nuk ka shtet ndërkombëtar, i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës. të ketë deklaruar se shteti i Kosovës të cilin po e njohin nuk duhet të ketë ushtri. Përkundrazi, të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës e kanë njohur si shtet të pavarur dhe sovran. E kjo nënkupton që ne t’i kemi të gjitha institucionet, edhe ushtrinë si mekanizëm partner me të gjitha shtetet që na kanë njohur”, është shprehur Selimi.

Të njëjtin mendim me anëtarët e komisionit për mbikëqyrjen e FSK-së ka edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, i cili ka deklaruar se është bërë vonesë e madhe në këtë drejtim. E për këtë vonesë ai i ka fajësuar vendorët.

“Pavarësisht se jemi të vonuar dhe presionit bukur të madh të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se këtë forcë duhet ta quajmë Ushtria e Kosovës, assesi ndryshe”, ka thënë Qehaja për “Epokën e re”. Ai ka bërë me dije se nëse NATO-ja nuk e dëshiron një gjë të tillë atëherë kjo organizatë duhet të kërkojë edhe nga vendet e tjera të rajonit t’i zvogëlojnë këto forca. “Unë e kuptoj atë se dikush nga lidershipi ynë do të thoshte se lehtë e ka ai të flasë, por si ekspert i çështjeve të sigurisë dhe ekspert ushtarak mendoj se ne duhet të shkojmë në këtë drejtim. Pse vetëm ne të privohemi nga një e drejtë që e kanë të gjitha shtetet këtu në rajon. Nëse nuk duhet të kemi ushtri, atëherë së paku pse NATO nuk kërkon të zvogëlohen ushtritë e shteteve të rajonit ose ato të hiqen në tërësi”, ka deklaruar Qehaja.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)