12 Maj 2024

Forca e Sigurisë së Kosovës, pjesë e Paradës së Pavarësisë

Prishtinë, 17 nëntor -  Një njësi e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e paradës ushtarake në Tiranë më 28 nëntor për të festuar përvjetorin e 100 të shpalljes së Pavarësisë.

Kështu njofton SETimes, duke iu referuar Ibrahim Shalës, nga zyra për Marrëdhënie me Publikun në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Në nder të “Ditës së Flamurit” dhe 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka filluar përgatitjet me një grup ushtarakësh, të formuar posaçërisht për nder të kësaj ngjarje,” ka thënë Shala për SETimes. Sipas tij do të jenë 65 ushtarë , tashmë të përzgjedhur që do të marrin pjesë  në Paradën e Tiranës.

Shala shprehet se ushtarët do të paraqiten në Paradë me një uniformë të re, të projektuar sipas standardeve të NATO-s, duke shtuar se, ata kanë një identitet kosovar që i bën të dallueshëm nga ushtritë e vendeve të tjera. Kjo pjesëmarrje në Paradë vjen në kuadër të bashkëpunimit  që Kosova ka me shtete fqinje.

“Ne kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë. Ne gjithashtu kemi marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi dhe Maqedoninë”- thotë Shala.

Por, përfshirja e forcave të FSK-së në një paradë shqiptare ka ngritur shqetësime, thotë SETimes.

Velibor Steviq, kryetar i Komitetit të Sigurisë në Lëvizjen Forca e Serbisë BK, në koalicion me Partinë Progresiste të Serbisë, thotë se pjesëmarrja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në paradën e ushtrisë shqiptare provokon zërat për krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Nuk mendon kështu, Orhan Dragas, drejtor i Institutit të Sigurisë Ndërkombëtare në Beograd, i cili shprehet se “shqiptarët e Kosovës janë duke mbështetur vendin e tyre amë. Të dy vendet nuk kanë ambicie për një bashkim të mundshëm. ”Sipas SETimes, ministria shqiptare e Mbrojtjes nuk ka bërë komente për këtë, pavarësisht kërkesës së tyre.

Ndërkohë në shkrim citohen edhe qytetarët e Kosovës të cilët e mbështesin vendimin për të dërguar ushtarët e tyre në Paradën e 28 nëntorit. Madje shumë prej tyre do të jenë në Tiranë për të ndjekur paradën, dhe pjesëmarrjen e ushtarëve të Kosovës.

Sipas kalendarit të veprimtarive për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, parada e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 28 nëntor në “Sheshin Skëndërbej” në orën 17:00.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)