04 Maj 2024

EULEX i përkushtuar të mbështes vendosjen e rendit dhe ligjit në veri

Prishtinë, 5 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti të martën në takim shefin e ri të EULEX-it, Bernd Borchardt, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë.

Gjithashtu në takim u bisedua edhe për tema të tjera, si procesin e rindërtimit, banesave të uzurpuara në veri etj.

Kryetari Kastrati, e njoftoi shefin e EULEX-it me shqetësimet e qytetarëve, sidomos ata të pjesës veriore për shkak të incidenteve dhe shpërthimeve të vazhdueshme në veri të qytetit.

“Javëve të fundit kemi ngritje të tensioneve për shkak të incidenteve të shpeshta në veri”.

Kastrati shtroi nevojën për rritjen e efikasitetit të strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i gjendjes.

Ai gjithashtu kërkoi një vendosmëri më të madhe prej EULEX-it për arrestimin e personave dhe grupeve që janë duke shkaktuar këto probleme.

Ai gjithashtu përmendi çështjen e zyrtarëve të Zyrës Administrative në Veri, të cilët shpesh janë  në cak të këtyre sulmeve.

“Ka nevojë të madhe për një koordinim të të gjitha strukturave në mënyrë që situata të menaxhohet sa më mirë”.

Në takim kryetari Kastrati, ka shtruar edhe problemin e mosfunksionimit të gjykatave, mandej mungesën e rendit dhe ligjit, lëvizjen e lirë etj.

“Të gjitha këto kanë bërë që të kemi një situatë të rëndë, sidomos për qytetarët që jetojnë në atë pjesë të qytetit”.

Ndërsa, duke folur për procesin e rindërtimit në veri, Kastrati, tha se ai proces do të vazhdoj meqë janë bërë 14 vite që shumë të zhvendosur kanë mbetur të jetojnë nëpër strehimore kolektive dhe në gjendje të rëndë.

Ai përmendi edhe nevojën për mbështetje për të zgjidhur problemin e uzurpimit të banesave në veri, ku sipas shënimeve të AKP-së janë rreh 400 banesa të uzurpuara.

Në anën tjetër, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, tha se EULEX-i është i përkushtuar që të mbështes vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

\"Po punojmë në vendosjen e rendit dhe ligjit me gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës”.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)