Ekspertët e profesioneve të lira ligjore ndihmojnë në zvogëlimin e lëndëve nëpër gjykata

Janë planifikuar gjithashtu edhe një numër i madh i punëtorive të ardhshme të trajnimit, si dhe evente të tjera që do të organizohen dhe mbahen në kuadër të këtij projekti.
Pepa Laleva, Udhëheqëse e Ekipit të Projektit, prezantoi projektin e financuar nga BE si dhe objektiven e saj kryesore – rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në Kosovë, përmes forcimit të Profesioneve të Lira Ligjore dhe organeve të tyre: avokatët dhe Odën e Avokatëve, noterët dhe Odën e Noterëve, përmbaruesit privat dhe Odën e Përmbaruesve Privat, ndërmjetësuesit si dhe administratorët e falimentimit, përfshirë edhe Odën e tyre në të ardhmen. Projekti i ofron mbështetje gjithashtu edhe Ministrisë së Drejtësisë, Departamentit për Profesione të Lira Ligjore.
Ajo shpreh se rëndësia e trajnimit të trajnerëve për profesione të lira ligjore (PLL-të) është e njohur gjerësisht nga BE dhe në Kosovë.
“Organizatat e ndryshme profesionale, me ndihmën e projektit të PLL kanë hulumtuar mënyrat më të mira për të zbatuar një trajnim të tillë, duke rezultuar në Programin e Trajnimit të Trajnerëve (Programi i ToT)”, ka thënë Znj. Laleva.
Sipas saj, ky Program i ToT-së në kuadër të projektit, në fakt është një ngjarje unike. “Për herë të parë në Kosovë, përfaqësues të këtyre katër profesioneve të lira ligjore: noterët, përmbaruesit privat, ndërmjetësuesit dhe administratorët e falimentimit, së bashku me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë janë këtu për të mësuar, përmirësuar aftësitë e tyre, për të hartuar kurse dhe për të punuar së bashku për zhvillimin e trajnimeve praktike të orientuara profesionalisht, të përshtatura për nevojat e PLL-ve në këtë vend”, ka thënë Znj. Laleva. Ajo gjithashtu shtoi se projekti organizon dhe ofron Trajnime të Trajnerëve edhe për avokatët – trajnerët në Odën e Avokatëve.
Znj. Laleva thekson numrin e madh të llojeve të mbështetjes të cilin e ofron Projekti i BE-së për sektorin e drejtësisë në Kosovë: përmirësimi i legjislacionit përkatës për PLL-të dhe Departamentin për Profesione të Lira Ligjore në MD, ngritja e kapaciteteve institucionale, përfshirë trajnimet për secilin profesion dhe Departamentin për PLL-të në MD, forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional në sektorin e drejtësisë, rritja e vetëdijesimit për PLL-të dhe MD-në si dhe shtrirja e jashtme, forcimi i PLL-ve në Veri, mbështetja për bazat e të dhënave përkatëse si dhe në analizimi i aspekteve ligjore për ndërlidhjen e tyre, Programi për Zbulimin e Talentëve me studentët dhe PLL-të, etj.
Gjithashtu, Znj. Laleva përmendi që projekti është në përgatitjet përfundimtare të fushatës për rritjen e vetëdijesimit për të gjitha PLL-të dhe MD-në, e cila pritet të filloj muajin e ardhshëm. Të gjitha këto aspekte të projektit janë në përputhje me perspektiven Evropiane të Kosovës.
Për secilën prej tyre, Projekti i BE-së pasqyron tek përfituesit standardet ndërkombëtare si dhe ato të BE-së, si dhe mbështet ata në adoptimin e këtyre standardeve në sektorin e drejtësisë në Kosovë. Si rezultat, projekti dhe aktivitetet e saj, përfshirë Trajnimin e Trajnerëve mbështet në mënyrë efektive përfituesit në Kosovë në arritjen e objektivave të tyre strategjike për forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë.
Zlatislava Mihailova, eksperte e lartë e BE-së nga Bullgaria shprehet se arsyeja e këtij trajnimi është që të aftësohen trajnerët vendorë, në mënyrë që ata pastaj të bëhen vetë trajnerë në të ardhmen dhe të mbajnë trajnime.
“Pra ka pasur tema specifike për profesione të veçanta. Secili prej profesioneve është unik, por ka edhe ngjashmëri të shumta”, ka thënë Mihailova.
Sipas saj, ky trajnim do t’ju ndihmojë ekspertëve apo profesionistëve vendorë që të bëjnë koordinimin dhe ndarjen e përvojave të tyre. “Ne e kemi menduar këtë program në këtë mënyrë dhe kemi menduar se kjo është një qasje efektive që mund ta sjellim në Kosovë. Ne si ekspertë ndërkombëtare, në kuadër të projektit të BE-së e sjellim përvojën tonë këtu, mirëpo edhe ata realisht janë ekspertë, ngase e zhvillojnë tashmë një kohë të gjatë veprimtarinë e tyre në fushat e tyre përkatëse”, ka thënë Mihailova.
Ajo shprehet e kënaqur me atmosferën e punës që ka gjetur te kolegët në Prishtinë. “Pjesëmarrësit këtu në trajnim janë që të gjithë shumë të dedikuar dhe shumë të angazhuar. Nuk mund të bëjë ndarjen dhe të japë vlerësime sipas profesioneve, por mund të them se të gjithë janë të shkëlqyer”, shprehet Mihailova, duke shtuar se procedurat e përzgjedhjes së këtyre pjesëmarrësve kanë qenë shumë transparente.
Jos Uitdehaag, ekspert i lartë i BE-së nga Holanda ka kërkuar nga trajnerët e rinj që të jenë të përpiktë në punën e tyre dhe transmetimin e njohurive të tyre tek të tjerët.
Ai ka një përvojë të madhe me trajnime edhe në shtetet e rajonit dhe lavdëron Kosovën për progresin që ka shënuar në fushën e profesioneve të lira ligjore. “Është e vërtetë që ka dallime me shtetet e tjera, por ka edhe ngjashmëri në këto profesione ligjore. Duhet pasur parasysh se në këto profesione ligjore punohet mbi disa aspekte të ngjashme, për shembull procedurat kontestimore, të trashëgimisë etj.... njohuritë rreth këtyre profesioneve kanë ngjallur edhe interesimin e këtyre pjesëmarrësve që të jenë pjesë e këtij trajnimi”, ka thënë Uitdehaag.
Duke iu referuar trajnimit aktual, ai shpjegon se janë 25 pjesëmarrës të ndarë në tetë grupe. Brenda tyre nuk ka pjesëmarrës që janë të dedikuar vetëm në një profesion, por ka pjesëmarrës të profesioneve të ndryshme brenda grupit.
“Pra ata nuk kufizohen vetëm në njohuritë e profesionit të tyre, por bëjnë shkëmbim të njohurive nga fusha të ndryshme”, ka thënë Uitdehaag.
Sipas tij, përparësi e këtij trajnimi është se ka ekspertë të fushave të ndryshme të profesioneve të lira ligjore, të cilët edhe pas përfundimit të projektit, ata do të mund të vazhdojnë të ndajnë ekspertizën e tyre me të tjerët.
“Ne si ekspertë të BE-së, kemi qëllim që këta si profesionist të lirë ligjorë ta unifikojnë një sistem të veçantë të metodologjisë së trajnimit”, ka thënë Uitdehaag.
“Mund të jap një shembull përse duhet të bëhet ky unifikim. Për shkak se ndërmjetësuesit në profesionin e tyre gjithmonë tentojnë të zgjidhin konfliktin, duke mos hyrë në procesin e gjykatës dhe normalisht kjo procedurë është e rëndësishme edhe për përmbaruesit privatë kur parashtrojnë shkresat e tyre, sepse kur kanë palën e tyre në zyrë duan të dinë më shumë nga ndërmjetësuesi sesi të negociohet”, ka thënë më tej Uitdehaag.
Ndërsa, për noterët, ai shprehet se është e rëndësishme të kuptojnë më shumë sesi punohet mbi procedurat e trashëgimisë e të tjera.
“Do të thotë këtu janë me rëndësi aftësitë për negocim dhe zgjidhjen e konflikteve dhe këtë e bëjnë ndërmjetësuesit, por nuk është e kufizuar vetëm në këtë profesion. Këto aftësi mund t’i përdorin edhe profesionet e tjera të lira ligjore”, ka thënë Uitdehaag.
Eksperti nga Holanda gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka mësuar se ushtruesit e këtyre profesioneve të lira ligjore në Kosovë përballen me shumë sfida. “Ka shumë sfida me të cilat përballen noterët dhe përmbaruesit privat këtu në Kosovë. Ata kanë sfida të ndryshme, duhet të dihet se noteria është pothuajse ngjashëm i vjetër sikurse ai i përmbaruesve privat, por që të dyja kanë vështirësi të mëdha dhe sfida të mëdha dhe duhet ta bëjnë të njohur publikun rreth profesionit të tyre si dhe të angazhohen në rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve rreth punës së tyre”, ka thënë Uitdehaag.
“Mund ta marrim faktin e procedurës përmbarimore që është bërë më herët në gjykatë dhe ka qenë një numër i madh i këtyre rasteve dhe nuk ka pasur vëmendje të duhur lidhur me këto procedura përmbarimore, dhe qytetarët duke e ditur se tani ka një profesion të veçantë që merret me procedura përmbarimore ata do ta kenë më të lehtë t’i qasen tani, si dhe do të jetë më e lehtë edhe për gjykatën si institucion që të zvogëlojë numrin e rasteve”, ka thënë më tej Uitdehaag.
Për fund, Znj. Laleva shprehet se gjykatat e Kosovës, si dhe zyrat prokuroriale janë të stër-ngarkuara me lëndë të ndryshme, derisa profesionistët e lirë ligjorë siç janë avokatët, noterët, përmbaruesit privat, ndërmjetësuesit dhe administratorët e falimentimit mund të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të madh të lëndëve që presin me vite në raftet e gjykatave/zyrave prokuroriale. Në këtë mënyrë, profesionet e lira ligjore mund të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit, përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe në rritjen e besimit të publikut në gjyqësor.