07 Maj 2024

Drews: Nuk do të ketë zvogëlim të trupave paqeruajtëse

Prishtinë, 11 dhjetor - Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Drews, ka deklaruar të shtunën se nuk do të ketë zvogëlim të trupave paqeruajtëse në Kosovë, përderisa janë angazhuar ndërkohë trupa rezervë, si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në veri.

Kreu i KFOR-it këto komente i ka bërë në kampin e forcave amerikane Bondsteel (afër Ferizajt), gjatë ceremonisë së ndërrimit të kreut komandues të Grupit Luftarak Shumëkombësh të Lindjes, me ç’rast për të 15-tën herë trupat amerikane kanë bërë zëvendësimet e rregullta të forcave të tyre me shërbim të paqes në Kosovë.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandantëve në Bondsteel, merrnin pjesë autoritete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë të shteteve perëndimore me shërbime në Prishtinë, si dhe udhëheqës të komunave nga ky rajon i Kosovës.

Koloneli amerikan, Michel Schfarc, i ka kaluar përgjegjësitë komanduese për sektorin Lindje të KFOR-it, kolegut të tij, Jeffrey Liethen.

Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjenerali Drews, ka nënvizuar kontributin që kanë dhënë dhe po japin për 12 vjet trupat ndërkombëtare me mision sigurimin e paqes për të gjithë në Kosovë.

“Për 12 vjet KFOR-i ka ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore në Kosovë, bashkësinë ndërkombëtare, FSK-në dhe policinë e këtushme. Me synim që t’u barten përgjegjësitë atyre”, është shprehur komandanti i KFOR-it.

Gjenerali Drews vlerësoi se parakusht për pakësimin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, është mjedisi i qetë dhe i sigurt, në tërë vendin.

“Por zhvillimet pas 25 korrikut në veri të Kosovës dëshmuan se ka ende shumë për t’u bërë këtu, përderisa forcat paqeruajtëse të kalojnë në fazën e tretë, që nënkupton mundësinë e zvogëlimit e trupave në terren”, është shprehur gjatë një brifingu me gazetarë në Bondsteel, gjenerali Drews.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)