30 Prill 2024

Digjet makina e një serbi në Mitrovicë

Mitrovicë, 7 tetor - Një automjet privat me targa “KS” është djegur rreth orës dy të mëngjesit të së premtes, në rrugën “Kolashini” në afërsi të “3 rrokaqiejve” në Veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës beson se automjetit i është vënë zjarri, ndërsa pronar i saj është një serb 34 vjeçar.

Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vend ngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë një përzierje molotovi, me benzinë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Besim Hoti, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, dhe vetura konsiderohet e djegur tërësisht, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.

Deri më tani autorët e këtij rasti nuk janë identifikuar, por sipas policisë, në bazë të hetimeve të para lidhur me rastin, besohet se një larje hesapesh për çështje biznesi, mund të jetë motiv i mundshëm i këtij akti kriminal.