De-radikalizimi nis me komunat



Prishtinë, 14 mars - Në shumë prej komunave të Kosovës një nga prioritetet kryesore për vitin 2016 do ta kenë diskutimin për luftimin e ekstremizmit fetar.
Nisur me nxënësit e shkollave e deri te qytetarë të profileve të ndryshme do të kenë mundësi të debatojnë për format e deradikalizimit.
Komuna e Mitrovicës është njëra nga ato, e cila në bashkëpunim me shoqërinë civile do të fokusohet në luftimin e ekstremizmit fetar.
Kryetari Agim Bahtiri bashkë me Qendrën për Menaxhimin e Konflikteve dhe Partners Kosova, fitues të fondit nga Ambasada Amerikane në Kosovë, kanë bërë të ditur se ky projekt do të fillojë së zbatuari gjatë muajve në vijim.
Selvie Rashanit, përfaqësuese e Qendrës për Menaxhimin e Konflikteve Partners Kosova, fituese e këtij projekti të madh, ka bërë të ditur se aktivitetet përfshijnë debate, uorkshope dhe të tjera që do të mbahen nëpër disa komuna të Kosovës.
Ajo ka thënë se të rinjtë duhet të kenë njohuri dhe të dinë saktësisht se çka është ekstremizmi dhe çka radikalizmi, si dhe të mësojnë se si duhet qasur këtyre dukurive.
Ajo shtoi se në debate përveç nxënësve, do të kyçen edhe përfaqësuesit e institucioneve, pjesëtarët e policisë, përfaqësuesit e bashkësive fetare, ata të shoqërisë civile e të tjerë.
/Zëri/