30 Prill 2024

Cliff ligjëroi në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj

Ferizaj, 12 qershor - Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Ian Cliff, para oficerëve dhe nënoficerëve të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, ligjëroi në temën: ”Marrëdhëniet Ndërkombëtare me Diplomaci”.

Ambasadorin Cliff, në ambientet e kazermës “Skënderbeu” e priti komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi, i cili fillimisht e falënderoi ambasadorin Cliff, për ndihmën e madhe që po jep Mbretëria e Bashkuar për FSK-në, dhe pastaj e njoftoi me të arriturat e përgjithshme të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes si dhe  me synimet për të ardhmen e KDS-së.

Ambasadori Ian Cliff, me këtë rast, tha: “ndjehem tejet i lumtur që po i shoh këto të arritura të KDS-së dhe përkushtimin tuaj ndaj punës”, ndërsa, më pastaj mbajti ligjëratën për “Marrëdhëniet Ndërkombëtare me Diplomaci”, me fokus misioni diplomatik dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes. Ambasadori Cliff, foli për sfidat e diplomacisë, rolin e diplomacisë në politikën e jashtme por edhe për misionet e tij, jashtë shteti, si Ambasador i Britanisë së Madhe.

Një pjesë të ligjëratës, Ai e fokusoi në çështjet e Kosovës, sfidat dhe të arriturat jo vetëm në diplomaci, por në të gjitha fushat, për të shtuar se: “Kosova ka shënuar progres në shumë fusha dhe ne po përpiqem ta ndihmojmë Kosovën”.

Në fund, ambasadori Ian Cliff, iu përgjigj shumë pyetjeve të pjesëtarëve të KDS-së, që kishin të bënin në lidhje me zhvillimet në vend dhe themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), ligjërata me temë nga diplomacia, kanë mbajtur edhe ambasador të shteteve tjerë, të akredituara në Kosovë.