05 Maj 2024

Bllaca, letër të hapur shokut të tij Farukut

Prishtinë, 30 korrik - I vetëdeklaruari si ish agjent i SHIK-ut, Nazmi Bllaca, ua ka shpërndarë mediave një letër drejtuar, siç e ka titulluar vetë, “ish -shokut Fahrudin Gashit-Faruku”, i dënuar muaj parë me 18 vjet burgim për krime lufte.

Në tërësi letra e Bllacës drejtuar Gashit.

“I nderuari Faruk, bëra gjithçka për të gjetur pak kohë t’ju drejtohem me një letër të hapur. Po të shkruaj një letër publike, në pamundësi për të shkruar një letër që të drejtohet vetëm ty.

Po të shkruaj si ish-shoku yt, por ato që do t’i them më poshtë të lutem merri sikur po t’i thotë një shok. Një shok i cili ishte me ty në biznes, qejf e në krim.

Siç edhe mund ta dish, jam duke përcjellë zhvillimet në procesin Bllaca II si dhe duke pritur përfundimin e shpejtë të këtij gjykimi.

Pasi që isha shok i juaji dhe jam shumë i sigurt se një pjesë të përgjegjësisë që të është ngarkuar në këtë proces nuk të takon ty, po do ju takonte disa personave që sot gjenden nëpër plazhet e Shqipërisë a Turqisë. Ata janë duke kaluar pushime me familjet e tyre dhe duke qeshur me sjelljet e tua nëpër televizionet mbarë shqiptare.

Ndërsa, ti ish-shoku im i skuadrës së vrasjeve të Shërbimit Informativ të Kosovës gjendesh në “plazhin” e Burgut të Dubravës, dhe unë, ish-shoku yt i kësaj skuadre, hiç më mirë se ti: me një liri të kufizuar.

Megjithëkëtë të përbashkët dhe të kaluarën tonë kriminale në të njëjtën skuadër të SHIK-ut, për dallim nga ti, unë gjeta kurajo dhe e drejtova gishtin kah urdhërdhënësit tanë, që na shndërruan në makina vrasëse për interesat e tyre të ulëta.

E ti ende nuk po ndryshon. Ti mendon që po rritesh, por kundrejt borxhit që ua kemi familjarëve të viktimave tona, as vitaminat nuk të bëjnë hair.

Mos harro se urdhërdhënësit tanë, ata që na udhëhoqën drejt vrasjeve, dëshirojnë të mbajnë situatën nën kontroll vetëm deri sa të kryhet procesi Bllaca II.

Për këtë, me këtë letër publike, në pamundësi për ta dërguar një letër vetëm ty, po të tregoj se jam shumë i bindur se askush nuk do të jetë i interesuar të të takojë apo të të vizitojë pas përfundimit të këtij procesi, pasi që me ty dhe shtirjen tënde për të çmendur, ata kanë realizuar qëllimet e veta për të mbrojtur vetën e ata që janë jashtë “plazhit” të Dubravës, e duhej të ishin moti aty, të lirë e në plazhet më të bukura të botës.

Jam shumë i sigurt se ky gjykim shpejt do të përfundojë. Për ty fundi do të jetë më i hidhur se sa për të gjithë të tjerët në këtë proces, që janë bashkë me ty në bankën e të akuzuarve.

Faruk, ish-shoku im i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, ti në fund do jesh më i dëmtuari!

Duke u bazuar ne përfundimin e shpejtë të këtij gjykimi në njërën anë, dhe urdhërdhënësit tanë, që janë nëpër pushime me familje e tyre, të lumtur në stilin e tyre, detyrohem të kërkoj nga ti që të drejtosh gishtin kah ata sa nuk është vonë për procesin Bllaca II.

Besomë që ky hap do të jetë vendimtar për familjen tende, e cila se shpejti do të përballet edhe me një vendim tjetër kundër teje, dhe atë vetëm brenda pak kohe e në procesin Bllaca II.

I nderuari Faruk, unë kërkoj nga ti që së pari të mendosh për familjen tënde dhe jo për urdhërdhënësit tanë që na quan në krim.

I nderuari Faruk, unë kërkoj nga ti që së pari të mendosh për familjen tënde dhe jo për patriotizmin e rrem të këtyre urdhërdhënësve që mua dhe ty na mashtruan duke na përdorur si pastrues në vrasje politike, e që sot ti përballesh me pasojat.

Të pret një burgim kapital!

Tek e fundit, unë të kam pas shok dhe askush nuk e di më mirë se unë se çfarë përgjegjësie ke pas ti në veprat penale në procesin ‘Bllaca II’. Për të bërë këto konstatime madje kam si bazë edhe një vendim gjyqi që më shpalli dëshmitar bashkëpunues.

Mirëpo këto vepra e kanë diku tjetër një pistë, e ti e di mirë. Ti e di ku e kanë fillimin krejt këto krime të ulëta, të kryera në emër të patriotizmit. Bile ti e di shumë më mirë se unë se kush është urdhërdhënësi.

Theksoj, urdhërdhënësi!

Dhe ne fund, jam i sigurt se procesi do te përfundoj, dhe atë shumë shpejt, mirëpo një fjale e urte popullore thotë: “Njëherë vjen vera kah dera”.

Shpresoj se do gjesh kohe për të lexuar këtë letër të shkruar me shumë respekt për ty dhe duke kujtuar të kaluarën që kemi pasur bashkë për një dekadë.

Me respekt: Nazim Bllaca, anëtar i skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut dhe autor i një vrasjeje”, përfundon letra e Nazim Blacës, drejtuar Fahredin Gashit-Farukut

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)