30 Prill 2024

Bllaca II, dëshmon edhe Xhelili

Prishtinë, 15 tetor - Njëri nga ish-drejtuesit e Shërbimit informativ të Kosovës do të ulet në bankën e dëshmitarëve. Fatmir Xhelili pritet të heqë dilemat nëse të akuzuarit në rastin Bllaca II kanë qenë pjesë e SHIK-ut.

Ky dëshmitar po ashtu do të sqarojë gjendjen shëndetësore të Nazim Bllacës. Ky i fundit është dëshmitar bashkëpunues në rastin për të cilin po akuzohen gjashtë persona për vrasjen e Ibush Kllokoqit në vitin 1999 dhe tentim vrasjen e Adem Salihajt në Ferizaj dhe Ismet Arifit në Prishtinë.

Xhelili është propozuar nga ana e mbrojtjes, propozim ky që u pranua nga kryetari i trupit gjykues. Se do të japë dëshminë në Bllaca II, e konfirmon vetë Xhelili. Ai tha për Express se të hënën prej orës 14 është ftuar që të jetë në gjykatore.

“Po i jam përgjigjur pozitivisht ftesës që të dëshmoj në këtë rast”, tha Xhelili për Express. Përveç Fatmir Xhelilit, avokati Ilaz Kadolli ka propozuar si dëshmitar edhe ish-komandantin e UÇK-së, tash deputet i Kuvendit, Azem Syla.

Sipas Kadollit, emri i Azem Sylës është përmendur më së shumti gjatë këtij procesi gjyqësor. Ai pohoi se Nazim Bllaca ka thënë se arma me të cilën është vrarë Ibush Kllokoqi, ka qenë e Azem Sylës, andaj për këtë është e rëndësishme edhe dëshmia e tij.

Ndërsa, sa i përket Fatmir Xhelilit, sipas avokatit, ai ka qenë ish-zyrtar i SHIK-ut dhe në disa raste është përmendur nga dëshmitari bashkëpunues me nofkën “Doktori”.

Sipas avokatit Kadolli, ish-zyrtari i SHIK-ut, Fatmir Xhelili, përveçqë mund të ndihmojë rreth asaj se kanë qenë apo jo të akuzuarit pjesë e SHIK-ut, ai po ashtu e ka pasur pacient Nazim Bllacën për një kohë prej dy muajsh dhe mund të japë detaje rreth kësaj.

Nazim Bllaca, si dëshmitar bashkëpunues e ka përmendur shpeshherë emrin e Azem Sylës, si njeri që ka dhënë urdhra për të vrarë njerëz në emër të SHIK-ut.

Në procesin e dytë që po mbahet në bazë të dëshmisë së Nazim Bllacës, janë të akuzuar Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka. Së bashku me këta i akuzuar, është edhe Fahredin Gashi, por që procedura ndaj tij është veçuar për shkak të gjendjes shëndetësore.