28 Prill 2024

Belgjika nuk u jep azil qytetarëve të Kosovës

Prishtinë, 17 korrik - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti në takim  drejtorin e përgjithshëm të Zyrës së Emigracionit në Belgjikë, Freddy Roosemont dhe këshilltaren e kësaj  zyre, Katy Verzelen.

Në këtë takim u diskutua për rritjen e numrit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, që paraqiten si azilkërkues në shtetin e Belgjikës.

Me këtë rast,  u tha se bashkëpunimi në mes të dyja vendeve në çështjen e kthimit, në bazë të Marrëveshjes për ri-pranim është duke funksionuar në mënyrë të duhur.

Megjithatë, ministri Rexhepi theksoi se është shqetësim real rritja e numrit të azilkërkuesve në Belgjikë.

"Është shqetësues numri i madh i atyre që janë të manipuluar qoftë nga krimi i organizuar ose nga agjencitë turistike. Çdonjëri që kërkon azil, e merr refuzimin dhe kthehet”, tha ministri Rexhepi.

Gjatë këtij takimi, të dyja palët u pajtuan që bashkërisht të gjenden format për zvogëlimin e numrit të azilkërkuesve për në Belgjikë dhe të punohet në promovimin e migrimit legal-qarkor.
 
Drejtori i përgjithshëm të  Zyrës së Emigracionit në Belgjikë, Freddy Roosemont, tha se  Republika e Kosovës është në listën e vendeve të sigurta dhe me një procedurë shumë të përshpejtuar, brenda 15 ditësh, pothuajse të gjithë kërkuesit kthehen në vendet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Belgjikës po punojnë në zvogëlimin e numrit të personave që vijnë në Belgjikë me një shpresë që nuk është reale”, tha Roosemont.

Të dyja palët u pajtuan në nevojën e informimit të opinionit mbi gjendjen reale të azilkërkuesve. Ministri Rexhepi shprehu falënderimin për mediat në punën e tyre në këtë drejtim.

 Në këtë takim u tha se për në shtetin e Belgjikës mund të udhëtohet vetëm duke gjetur format e migrimit legal.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)