15 Maj 2024

Asnjë gjurmë për sulmuesit e EULEX-it

Prishtinë, 21 shtator - Ende nuk ka asnjë gjurmë për autorin, apo autorët e sulmit mbi pjesëtarët e misionit të EULEX-it, të cilët të enjten, në Ballaban të Zveçanit, nga një pritë sulmuan me armë automatike dy automjete të këtij misioni, me ç’rast njëri prej doganierëve, lituanezi Audrius Senavicius, mbeti i vrarë.

EULEX-i dhe organet e hetuesisë nuk kanë zbuluar asnjë detaj rreth hetimeve, me arsyetimin se nuk është në interes të tyre, por edhe për shkak të gjendjes kaotike në pjesën veriore të Mitrovicës.

Pjesa e rrugës ku ka ndodhur sulmi mbi EULEX-in, pas përfundimit të hetimeve dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe të zonës në afërsi është zhbllokuar dhe është liruar për qarkullim.

Në anën tjetër, sulmin mbi EULEX-in e kanë gjykuar edhe serbët e veriut e edhe shqiptarët në jug.

Shefja e Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiq, e ka quajtur sulmin akt terrorist. “Ky është akt terrorist që ka për qellim destabilizimin e veriut dhe dekurajimin e të gjithë atyre të cilët duan paqe dhe stabilitet në veri të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq, e cila ka kërkuar nga organet e sigurisë që të marrin të gjitha veprimet e duhuar në mënyrë që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë.

Ndërkaq, Kërstimir Pantiq, kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut dhe i emëruar nga qeveria serbe për kryetar të organit të përkohshëm për të udhëhequr Mitrovicën, ka gjykuar aktin dhe ka kërkuar nga strukturat ndërkombëtare të sigurisë që të bëjnë krejt çfarë është e mundur për t’i zbuluar autorët.

“Në shenjë të vullnetit të mirë, kemi ftuar dhe u kemi ofruar ndihmën e profesionistëve nga Begoradi, sepse vërtet është e domosdoshme të zbulohen kryesit e kësaj vepre kriminale, në mënyrë që mos të gjykohet apriori vetëm njëra anë.

Ne kemi dëgjuar se serbët po akuzohen për këtë vepër, si hakmarrje për lirimin e Fatmir Limajt, por kjo është absolutisht e pavërtetë. Krimi është kryer dhe ai i cili e ka kryer krimin duhet të përgjigjet, por askë nuk duhet akuzuar përpara se të kryehen hetimet”, ka thënë Pantiq.

Pantiq ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë, ndërsa ka shtuar se krejt çfarë po ndodh në kohë të fundit nuk u shkon për shtati serbëve dhe Serbisë.

Për shefin e të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, sulmin e kanë kryer njerëz që duan destabilizimn e veriut.

“Ky sulm terrorist është kryer nga ata që kanë për qellim destabilizimin e veriut të Kosovës dhe që misioni i EULEX-it ta lëshojë Kosovën”, tha Nedelkoviq, i cili kërkoi ndriçimin e rastit për t’iu ikur, siç tha ai “manipulimeve politike rreth motiveve dhe kryesve të këtij krimi makabër”.

Oliver Ivanoviq, kandidat për kryetar të Mitrovicës, ka thënë se incidentët e fundit mund t’i dekurajojnë njerëzit të dalin në zgjedhje.

“Për këtë ngjarje të rëndë nuk kam shumë të dhëna të qarta, por mendoj se bëhet fjalë për një profesionist. Kjo është më se e sigurt, duke pasur parasysh si e kanë zgjedhur vendin për të sulmuar, momentin dhe armët. Unë gjithmonë kam tërhequr vërejtjen se gjendja në veri nuk po zhvillohet mirë.

Eshtë e rëndësishme që shteti me mesazhe të qarta të tregojë se mban situatën nën kontroll dhe se ka njëfarë plani.

Sipas meje, është e rëndësishsme që ministri i Drejtësisë të vie dhe të flasë me gjyqtarët, ministri i Brendshëm të vijë e të flasë me policët, t’u sqarojë se cila është e ardhmja e tyre, sepse nëse këtë nuk e dinë, atëherë ata mund të marrin hapa krye në vete”, ka thënë Ivanoviq, i cili ka sqaruar se akoma nuk janë gjetur autorët e sulmit në familjen e tij.

Halit Barani, kryetar i QR të KMDLNJ në Mitrovicë, nëpërmes një reagimi ka kërkuar gjetjen kryesve të këtij akti kriminal dhe të nxirrren para drejtësisë, në mënyrë që t’u jepet denimi i merituar.

Barani ka thënë se në raste të tilla gjithëherë përfshihen kontrabandistë, të cilëve nuk u konvenon gjendja stabile në veri të Kosovës.

“Pra, rasti i së enjtes është rast terrorist i atyre që merren me krim të organizuar të të gjitha veprave të ndyera.

KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, jo një herë ka reaguar për shumë raste të tilla si dhe vazhdimisht ka kërkuar nga organet më të larta të policisë së Kosovës që së pari të bëjnë spastrime në radhët e policisë, t’i arrestojnë kriminelët të cilët dihen me emër e mbiemër si dhe ku çfarë vepre kanë kryer e pastaj t’i emërojnë eprorët e policisë nga njerzë të verifikuar mirë, normalisht nese janë për të krijuar rend, qetësi, lëvizje të lirë, jo të gradojnë policë që kanë kryer krime të rënda mbi popullatën joserbe e posaçërisht shqiptare, para gjatë dhe pas luftës së UÇK-së, duke filluar që nga viti 1990”, thotë Barani.

Sipas Baranit, njerëz që kanë kryer krime të rënda tani konkurojnë për kryetar komunash. “Fatkeqësisht, të gjitha ato që ka kërkuar KMDLNJ-ja në Mitrovicë kanë hasur gjithëherë në vesh të shurdhër të organeve më të larta të sigurisë dhe tek tjerët në Kosovë, si ato vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Barani.

/Zëri/ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)