03 Maj 2024

Arrestohen 9 persona të rrjetit të krimit të organizuar

Prishtinë, 17 korrik - Me dyshimin e bazuar se disa persona janë duke u marrë me kontrabandë me migrantë dhe veprimtari të tjera të kundërligjshme, hetues të departamentit të policisë kufitare kanë filluar një operacion të gjerë policor për arrestimin e të dyshuarve.

Operacionit që është realizuar dje në rajonin e Mitrovicës dhe Prishtinës si dhe disa fshatra të rrethinës i ka paraprirë një proces i detajuar hetimor disamujor, i cili ka qenë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Me urdhëresë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë janë realizuar disa kontrolle në shtëpitë dhe objektet përcjellëse dhe janë arrestuar nëntë të dyshuar për kontrabandë me migrantë, falsifikim të dokumenteve dhe kontrabandë me armë dhe municion.

Gjatë këtyre bastisjeve janë gjetur dhe janë konfiskuar dy pushkë, gjashtë revole të llojeve të ndryshme, mbi 1500 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, pasaporta të shteteve të ndryshme, patentë shoferë, leje njoftimi, certifikata të lindjes, certifikata të martesave, të sigurimeve ndërkombëtare vula të ndryshme, dokumente të transaksioneve bankare, një sasi e vogël e substancave narkotike, si dhe dokumente tjera që mund të përdoren në cilësinë e provave materiale gjatë procedurës gjyqësore.

Rezultatet e këtij operacioni policor u prezantuan në një konferencë për media ku prezentë ishin: ministri i Punëve te Brendshme Bajram Rexhepi, drejtori i përgjithshëm i Policisë z. Shpend Maxhuni dhe drejtori i Departamentit të policisë kufitare Shaban Guda. Ministri Rexhepi duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar në luftimin e rrjeteve dhe grupeve të organizuara kriminale pohoi se në këtë rast konkret edhe Policia e Kosovës ka pasur një bashkëpunim të këtillë:

“Ky aksion i policisë kufitare është arritur falë bashkëpunimit me shtetet e rajonit, si me Malin e Zi, Hungarinë, Austrinë dhe Zvicrën”, theksoi Rexhepi duke cekur rëndësinë e shkatërrimit të grupeve kriminale në mënyrë që të përmbushen sa më shpejt kushtet teknike për liberalizimin e vizave.

Drejtori i Përgjithshëm i PK-së tha se ky operacion reflekton seriozitetin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës për të përmbushur të gjitha objektivat që policia ka përcaktuar para vetit në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, në theks të veçantë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore në luftën kundër krimit të organizuar.

Drejtori i Departamentit të policisë kufitare, z. Shaban Guda duke shpalosur detajet e operacionit policor tha se është bërë arrestimi i një grupi të organizuar i cili është marrë me kontrabandë të migrantëve nga shtetet e Azisë dhe Afrikës përmes Kosovës dhe Serbisë për të arritur pastaj në shtetet e perëndimit:

“Dyshojmë se ky ka qenë një grup shumë i organizuar dhe se ka pasur baza edhe në vende të tjera, i njëjti grup është marrë edhe me kontrabandë të kosovarëve në Serbi e Hungari e pastaj edhe në shtetet e tjera perëndimore”, theksoi z. Guda duke potencuar edhe një herë bashkëpunimin e mirëfilltë me policitë e shteteve të rajonit.

Kontrabanda me emigrantë nga shtetet aziatike është bërë kryesisht nga Azia dhe Afrika ku destinim final kanë qenë kryesisht shtetet e Evropës dhe viktimat dyshohet se për këtë relacion kanë paguar para në vlerë prej 3000-3500 €. Viktima të kontrabandës kanë qenë edhe qytetarë të Kosovës ku të njëjtit për rrugëtimin ilegal për në shtetet e Evropës kanë paguar para  në vlerë prej 2000-2500 €. 

Personave të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)