28 Prill 2024

Arrestohen 7 të dyshuar dhe konfiskohen 5 kg substancë narkotike

Prishtinë, 3 gusht - Për dy ditë me radhë njësia e hetimeve të Departamentit të policisë kufitare dhe Inspektorati Policor i Kosovës me autorizimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Qarkut në Prishtinë kanë realizuar operacionin policor të bastisjes dhe arrestimit në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës, Pejës dhe Ferizajt.

Si pjesë e realizimit të këtij operacioni policor janë arrestuar pesë të dyshuar për veprat penale: kontrabandë me migrantë, falsifikim i dokumenteve dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë realizimit të bastisjeve në shtëpi dhe objekte përcjellëse policia ka gjetur dhe ka konfiskuar: dokumente të ndryshme të falsifikuara; dy pasaporta jugosllave; një letërnjoftim; një patentë shoferi (e zbrazët); dy vula dhe certifikata; formularë dhe foto të ndryshme; një shtëpizë të kompjuterit dhe tri armë-njëra pushkë automatike M 47 kalibër 7.62 mm si dhe dy pushkë të gjuetisë të kalibrit 12.mm si dhe municion të këtyre kalibrave.

Një nga të arrestuarit e dyshuar është zyrtar i Policisë së Kosovës i cili deri në momentin e arrestimit punonte në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës.

Operacioni ndërlidhet me dy operacionet e mëhershme që janë prezantuar para mediave përmes konferencave më 11 respektivisht me 17 korrik, policia ka arrestuar 19 të dyshuar dhe është zbuluar laboratori që prodhonte dokumente të falsifikuara si dhe një sërë dokumentacioni i falsifikuar, e si vazhdimësi e këtyre rasteve është edhe arrestimi i pesë të dyshuarve të tjerë duke arritur numrin total të të arrestuarve në 24.

Rasti i dytë është regjistruar dje (2.8.2012) nga zyrtarët e policisë kufitare dhe zyrtarët doganorë në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës në hyrje Shqipëri–Kosovë.

Pas kontrollimit të dokumenteve nga oficerët policorë dhe doganorë ata e kanë kontrolluar edhe automjetin e udhëtarëve Golf -2 me targa të Republikës së Kosovës në të cilin ndodhej vozitësi dhe një pasagjer, që të dy shtetas të Republikës së Kosovës.

Gjatë realizimit të kontrollimit të hollësishëm të automjetit, në pjesën e prapme të tij, në vendet e tapicerive të dyerve të prapme janë gjetur dy qese najloni me katër paketime që dyshohet se është substancë narkotike e llojit marihuanë.

Dy të dyshuarit janë arrestuar kurse janë konfiskuar sasi e substancës së dyshuar në sasi prej 4 kg e 420 gram si dhe automjeti me të cilin është transportuar materia e dyshimtë.

Shefi i hetimeve nga Departamenti i policisë kufitare, kapiten Nevruz Hasani theksoi në këtë konferencë se zbulimi i këtij rasti është rezultat i ngritjes së kontrollit kufitar dhe bashkëpunimit të mirë mes Policisë dhe Doganës së Kosovës. 

Në këtë konferencë u prezantuan edhe statistikat e personave të arrestuar për vepra të ndryshme penale ku gjatë periudhës kohore nga 27 korriku deri me 2 gusht 2012 Policia e Kosovës ka arrestuar 210 të dyshuar kurse prej tyre 143 u është caktuar masa e ndalimit policor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)